Pagesat nga interneti – Arritën në 886 miliardë lekë vitin e kaluar

Veprimet e bankingut përmes internetit arritën një rekord të ri vitin e kaluar. Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, vlera totale e këtyre pagesave arriti në afro 886 miliardë lekë, në rritje me 61% krahasuar me vitin 2017. Rritja kishte përmasa të konsiderueshme edhe e matur si numër transaksionesh. Klientët e sistemit bankar shqiptar kryen 2.6 milionë transaksione përmes internet banking, në rritje vjetore me 29%.

Modernizimi i shërbimeve bankare dhe përdorimi në rritje i teknologjive po ndihmon në përhapjen e shërbimeve të bankingut në distancë. Numri i llogarive bankare të lidhura me internet banking ka arritur në rreth 400 mijë. Sipas Bankës së Shqipërisë, numri i llogarive të e-banking u rrit me 24% gjatë vitit të kaluar. Përdorimi i internet banking është rritur për të dhjetin vit radhazi, ndërsa rreth 85% e llogarive të lidhura me internetin i takojnë individëve. Vlerësohet se në Shqipëri shërbimet e internet banking i përdorin rreth 14% e popullsisë, në rritje të ndjeshme prej nivelit 11% të vitit 2017.

Banka e Shqipërisë po përpiqet të nxisë qeverinë të ndërmarrë stimuj konkretë për të rritur përdorimin e pagesave elektronike në ekonomi. Kjo do të ulte informalitetin, por njëkohësisht edhe kostot e rreziqet e lidhura me përdorimin e lartë të parasë fizike. Sipas Strategjisë së Pagesave me Vlerë të Vogël, faturuesit e mëdhenj dhe operatorët e sistemit të transportit publik do të bashkëpunojnë në nxitjen e përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave, të cilat mund të zvogëlojnë shpenzimet e tyre të arkëtimit.

Faturuesit do të shqyrtojnë zbritje ose stimuj të tjerë, nëse faturat shlyhen përmes debitimit direkt apo e-banking. Për të nxitur veprimet jo-cash, pritet të zgjerohet edhe numri i pagesave që mund të kryhen online nëpërmjet portalit e-Albania.