Fushata në Kisha, Fatmir Mediu: Pushteti i krimit, korrupsionit dhe diktaturës s’ka skrupuj

Takimi elektoral i kandidatit socialist të Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi, në kishë, ka ngjallur reagime të forta politike.

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, është shprehur se kryeministri Edi Rama po shkatërron çdo gjë që shqiptarët fituan dhe ndërtuan në këto vite.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Mediu shprehet se socialistët nuk duan t’ia dinë për Zot dhe as për institucione fetare.

“Rama dhe shupra e tij nuk duan t’ia dinë as për kushtetutë, as për ligj as për pluralizëm. Nuk duan t’ia dinë as për Zot e as për Institucione fetare. Baballarët e tyre shkatërruan kisha e xhami, vranë dhe burgosën njerëzit e Zotit, sot përdhunojnë Institucionet fetare.

Kanë kohë që duan të blejnë dhe vendosin dhe drejtuesit e Komuniteteve fetare, ndërsa hapur bëjnë fushatë nëpër kisha. Pushteti i krimit, korrupsionit dhe diktaturës s’ka skrupuj. Rama po shkatërron çdo gjë që shqiptarët fituan dhe ndërtuan në keto vite”, ka shkruar Mediu.