Dj me famë botërore në koncertin e Dua Lipës në Kosovë

Këngëtarja me origjinë shqiptare Dua Lipa pritet që edhe këtë vit të organizojë “Sunny Hill Festival” një nga eventet më të mëdha kulturore në Kosovë.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Dua ka dhënë lajmin se i ftuar për të performuar në këtë festival do të jetë Dj me famë botërore Calvin Harris.

Ai e ka konfirmuar vetë këtë lajm në videon e Duas, ku ajo e pyet se çfarë do të bëjë këtë verë.

“Këtë verë do të jem në Kosovë. Do të jem në ‘Sunny Hill Festival’ në datë 4 gusht”, -thotë Harris, ndërkohë që Dua brohoret.

Krahas videos këngëtarja e njohur ka shkruar:

“Jam shumë e lumtur të njoftojë se Calvin Harris do të vijë në Prishtinë për ‘Sunny Hill Festival’ në datat 2,3 dhe 4 gusht. Jam mirënjohëse për të gjithë miqtë që do të vijnë në Kosovë, duke e bërë këtë gjë të mundur , duke na mbështetur ne dhe rininë e Kosovës për një të ardhme më të ndritur!”

Vitin që lamë pas Dua u ngjit vetë në skenën e “Sunny Hill Festival” dhe solli emra të njohur të muzikës si Martin Garrix, Action Bronson, Stanaj etj.