Dekreti i Presidentit/Argumentet pse Kolegji Zgjedhor nuk ka tagrin ligjor ta shqyrtojë

Është ngritur një tymnnajë e madhe se sot Kolegji Zgjedhor shqyrton Dekretin e Presidentit të Republikës, që shfuqizoi datën 30 qershor si datë e zhvillimit të zgjedhjeve. Kjo qasje mediatike është e pavërtetë dhe vjen në interes të qeverisë, e cila anashkalon zbatimin e Dekretit të Presidentit Meta. Kolegji Zgjedhor, pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, sot më datë 24 qershor 2019, do të shqyrtojë një Kërkesë-Padi të ngritur nga Partia Unitetit Kombëtar (PUK) me Kryetar Idajet Beqirin, e cila ka për objekt kundërshtimi pikërisht: “Prishjen e Vendimit nr. 836, datë 13.06.2019 të KQZ-së, me anën e të cilit është vendosur rrëzimi i kërkesës së Partisë Unitetit Kombëtar (PUK), për tu çrregjistruar nga zgjedhjet e pushtetit vendore të 30 qershorit 2019”.

Pra në Kolegjin Zgjedhor, nuk është ngritur dhe as është kundërshtuar Dekreti i Presidentit të Republikës nr.11199, datë 10 qershor 2019, i cili anulloi tërësisht procesin zgjedhor të planifikuar për zhvillim më datë 30 qershor 2019. Është me vend, të sqarohet edhe fakti tjetër nëse ky pretendim ngrihet përpara Kolegjit, pra nëse PUK, shton si objekt të padisë së tij, shfuqizimin e Dekretit të Presidentit të Republikës, a ka Kolegji Zgjedhor të drejtë të shqyrtojë Dekretin e Presidentit? Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje, i referohemi nenit 145 të Kodit Zgjedhor, i cili qartëson se subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë kundër vendimeve të KQZ-së, kur ato cenojnë interesat e tyre të ligjshëm brenda afatit të përcaktuar në nenin 152 të këtij Kodi.
Pra sipas këtij neni subjektet që legjitimohen të paraqesin ankesa në Kolegj, janë subjektet zgjedhor dhe objekti për të cilën ata mund të ankohen janë vendimet e KQZ-së.

Referuar kësaj dispozite, dhe inteperteimit tërësor të të gjithë normave të Kodit Zgjedhor, rezulton se Kolegji Zgjedhor, nuk ka lëndë për të shqyrtuar, pasi në thelb mungon interesi i drejtpërdrejtë qoftë i paditësit por dhe i palës së paditur, pasi marrëdhënia juridike mbi të cilën është ngritur kjo mosmarrëveshje nuk ekziston më, pasi ajo është shuar nga autoriteti suprem i Presidentit të Republikës, me dekretin e nxjerrë prej tij.

Sipas nenit 2 të Kodit Zgjedhor, “Zgjedhjet” janë votimet për Kuvendin, për njësitë e qeverisjes vendore dhe referendumet, ndërsa “data e zgjedhjeve” është data e votimit, e caktuar me dekret të Presidentit të Republikës. Në kushtet kur Presidenti i Republikës, me dekretin nr.11199, datë 10.09.2019 ka vendosur “Shfuqizimin e Dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 të Presidentit të Republikës “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, duke anuluar datën 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë, rezulton se në Republikën e Shqipërisë, aktualisht nuk ka një proces zgjedhor si nga ana Kushtetuese ashtu edhe referuar dispozitave të Kodit Zgjedhor. Në kushtet kur nuk kemi proces zgjedhor në fuqi dhe kur Presidenti i Republikës, ka filluar një proces konsultimi me palët për të vendosur se kur ky proces do të rifillojë, atëherë edhe Partia Unitetit Kombëtar, si gjithë subjektet e tjerë politikë rezulton se e ka gëzuar statusin e “subjektit zgjedhor” deri më datë 10 qershor 2019, ditë kur doli Dekreti i Presidentit.

Pas kësaj date, me rënien/anullimin e procesit zgjedhor në tërësi, të gjithë forcat politike të regjistruara për të garuar në zgjedhjet e pushtetit vendor e humbasin statusin e subjektit zgjedhor, pasi vet ky proces nuk ekziston më.  Në këtë mënyrë, edhe kërkesa e PUK, paraqitur përpara KQZ, dhe për rrjedhojë edhe në Kolegjin Zgjedhor është pa objekt, pasi me daljen e Dekretit nr. 11199, datë 10.06.2019, të Presidentit të Republikës dhe anullimin e procesit zgjedhor, ligjërisht të gjitha subjektet zgjedhore konsiderohen të çrregjistruara nga procesi konkuruese, pasi nuk ekziston ligjërisht dita se kur kjo garë politike do të realizohet. Partitë Politike, pas datës 10 qershor 2019, ditë kur doli dekreti, vijojnë të gëzojnë statusin e “Partive politike” që sipas pikës 13, të nenit 2 të Kodit Zgjedhor janë ato parti të regjistruar në përputhje me ligjin nr. 8580, datë 17.2.2000 “Për partitë politike”.

Me këtë status ato gëzojnë të gjitha të drejtën për tu konsultuar me Kreun e Shtetit për caktimin e një date të re zgjedhjesh, apo për të kundërshtuar Dekretin e nxjerrë prej tij në Gjykatën Kushtetuese, por jo të vijojnë aktivitet politikë zgjedhor. Presidenti i Republikës, sipas Dekretit dhe arsyetimit dhe të Tij, ka shuar tërësisht një marrëdhënie juridike të krijuar prej tij me Dekretin e mëparshëm të nentorit 2018, pra ka shuar tërësisht procesin zgjedhor. Në mungesë të datës për zgjedhje, e gjithë procedura është kthyer në nivelin zero. Në këto kushte, edhe Kolegji Zgjedhor nuk ka se çfarë të shqyrtojë kur nuk ekziston vetë proçesi zgjedhor.