Dashamir Shehi: Të dielën do përplasemi cep më cep të Shqipërisë me Ramën

Vendimi i marre sot nga Kolegji Zgjedhor kundër dekretit të Presidentit Ilir Meta, nuk ndryshon asgjë në qëndrimin e opozitës. Dekreti i Presidentit është botuar në Fletoren Zyrtare dhe sipas Kushtetutës dekretet e kreut të shtetit mund të vlerësohen vetëm nga Gjykata Kushtetuese. Ditën e sotme, kreu i PD-së, Lulzim Basha ka thirrur aleatët në një takim për të diskutuar mbi aksionin e kësaj jave dhe ditëve në vijim.

Në emër të aleatëve të PD, kreu i LZHK-së, Tritan Shehu deklaroi se përballje me qeverinë “Rama” do të vijojë. Ai e cilësoi si situatën si përballje me një juntë qeverisëse që duhet larguar sa më parë. Në një prononcim për mediat, Dashamir Shehi tha se do të ketë protesta në të gjithë vendin. “Këto janë zgjedhje që ne nuk i njohim, janë zgjedhjet e Edi Ramës, ne do të ndjekim dekretin e presidentit Meta. Ne do të shkojmë të përballemi në çdo cep të Shqipërisë me këtë juntë që është e vendosur, ne nuk do ti njohim zgjedhjet, në 30 Qershor s’mund të ketë votime. Do të ketë demonstrata, çdo gjë do të jetë sipas ligjeve, rezistenca jonë do të jetë edhe më e madhe”, u shpreh Dashamir Shehi.

Vendimi i Kolegjit Zgjedhor është i njëjtë më atë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili mori në shqyrtim dekretin e presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve. Një akt i  tillë juridikisht është jo vetëm pa kuptim, por edhe shkelje e ligjit. Dekretet e Presidentit gjykohen vetëm nga Gjykata Kushtetuese dhe jo nga institucione si KQZ, të cilat në thelb dhe ligjërish janë përfaqësuese të interesave të partive politike.

Hapi i fundit i Kolegjit Zgjedhor nuk i lë rrugë tjetër opozitës veçse të vijojë betejën e saj, siç shprehen drejtuesit e frontit opozitar, me të gjitha format për ndalimin e zgjedhjeve fasadë. Kjo janë pritet të jetë jo vetëm më e tensionuara, por edhe më vendimtarja për formën e pushtetit që do të jetë në Shqipëri, pasi ligjërisht mazhoranca ka kryer një puç kushtetues duke mos njohur dekretin e Presidentit.