Cipras paralajmëron Turqinë për shpimet në Kastellorizo

Kryeministri grek, Aleksis Cipras ka paralajmëruar Turqinë se as që duhet ta mendojë kryerjen e shpimeve në Kastellorizo duke vënë në dukje se Greqia ka në plan parandalimin e çdo shpimi, gjatë një interviste në kanalin shtetëror grek, ERT3.

Cipras tha se është “plotësisht i justifikuar” për nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës, pasi ka përmirësuar kredibilitetin dhe prestigjin ndërkombëtar të Greqisë dhe ka ndihmuar në transformimin e Bashkimit Europian në favor të çështjeve kombëtare.

”Këshilli Europian mori një vendim të qartë dhe të rreptë mbi veprimet e paligjshme të Turqisë në Mesdheun Lindor dhe Egjeun, që përfaqëson një fitore të madhe kombëtare diplomatike për Greqinë dhe Qipron”, theksoi Cipras.

Ai akuzoi kreun e ”Demokracisë së Re”, Qiriakos Micotaqis dhe partitë e tjera të opozitës, për “një qëndrim të papërgjegjshëm dhe hipokritik” ndaj Marrëveshjes së Prespës.

”Është e paarsyeshme që Micotaqis beson se një sërë reformash do të bindin partnerët për të reduktuar objektivat e suficitit primar ndërkohë që SYRIZA ka arritur ta bëjë këtë”, theksoi Cipras.

Cipras gjithashtu u shpreh optimist se SYRIZA do t’i fitonte zgjedhjet e 7 korrikut.