“Burgu juaj në krahasim me atë të Shqipërisë komuniste është një hotel me 5 yje”

Kardinali shqiptar 91-vjeçar, At Ernest Simoni, është zgjedhur nga Papa Françesku për të dorëzuar në burgun e ishullit Gorgona në provincën e Livornos një letër të shkruar posaçërisht për ta nga Ati i Shenjtë.

Kardinali shqiptar është takuar me 90 të burgosurit e këtij burgu si dhe me 50 punonjësit e policisë së burgjeve, ku kanë bashkëbiseduar mbi fjalët e Atit të Shenjtë e problemet e tyre.

“Të gjithë bëjmë gabime dhe të gjithë jemi mëkatarë”, shkruan Papa Françesku në letrën e tij.

“Të gjithë kërkojmë falje për këto gabime në rrugën tonë të riintegrimit e Zoti na fal gjithmonë, nuk na harron e nuk gënjen. Njoh situatën jo gjithmonë të mirë në burgje, prandaj i kërkoj komuniteteve lokale fetare të qëndrojnë pranë këtyre vendeve të vuajtjes e shpengimit” shkruan Papa Françesku.

Simbol i vuajtjes së klerikëve gjatë regjimit komunist, i cili e burgosi për 28 vite e punë të detyruar, Kardinali shqiptar tha për të burgosurit se “kupton dhe i bashkohet vuajtjes së tyre, duke i ftuar në besimin te Perëndia që do ti ndihmojë të ndreqin të keqen që kanë kryer, dinjitetin njerëzor si dhe të personave që ata kanë fyer me sjelljen e tyre.”

At Ernest Simoni ka vizituar ambientet e brendshme të burgut e ka rrëfyer një pjesë të historisë së tij të vuajtjes në burgjet komuniste.

“Burgu juaj në krahasim me atë të Shqipërisë komuniste është një hotel me 5 yje, u shpreh ai me ironi.”

Gjithashtu në letrën e tij Papa Françesku ka shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që çdo ditë punojnë e vihen në shërbim të burgosurve të Gorgonas.

“E nga ana ime, shkruan Papa Françesku, ju ftoj të shikoni të ardhmen me vetëbesim në rrugën tuaj të rikuperimit.”