“Biskota” në Europianin e U21, e pëson sërish Italia

Në Europianin U21 ndodh ajo që i druheshin të gjithë. Franca dhe Rumania zhvilluan një 90-minutësh të qetë, duke u ndarë në një barazim pa gola, që i kualifikon që të dyja në gjysmëfinalet e këtij kompeticioni.

Merr fund kështu ëndrra e Italisë U21, për t’u kualifikuar në fazën gjysmëfinale si vendi i dytë më i mirë, pasi këtë pozitë e mori Franca, me 7 pikë, aq sa edhe Rumania, që për shkak të golavarazhit, u rendit e para në grupin përkatës.

Shpresa e vetme e italianëve ishte që njëra mes Francës dhe Rumanisë të humbte, por të dy skuadrat i treguan Italisë U21 edhe njëherë shijen e “biskotës”, ashtu si në Europianin e 2004-ës e provoi Kombëtarja e madhe.

Edhe sfida tjetër e grupit të tretë, ajo mes Kroacisë dhe Anglisë, përfundoi në barazim, por me shumë gola, 3-3, ndonëse të dy skuadrat i dhanë lamtumirën këtij kompeticioni. Rumania, Franca, Spanja dhe Gjermania janë 4 skuadrat që do të luajnë në gjysmëfinale e Europianit.