Juventusi bën gati 3 super dhurata për trajnerin Sarri

Juventusi vendosi t’i besojë pankinën Maurizio Sarrit, ndërsa në pritje të nisjes së grumbullimit për sezonin e ri, ka mbyllur edhe një pjesë të mirë të operacioneve të merkatos. Kështu është afruar në mesfushë uellsiani Aron Ramsey, që erdhi nga Arsenali me parametra zero, ndërsa pritet të zyrtarizohet po me parametra zero edhe mesfushori francez Adrien Rabiot, ndërsa janë bllokuar edhe mbrojtësit Demiral dhe Romero.

 

Klubi bardhezi do të synojë afrimin e një futbollisti të madh, i cili do të jetë njëri mes Paul Pogba, Matihjs De Ligt dhe Federico Chiesa. Aktualisht bardhezinjtë po punojnë paralelisht në të tre fronet, por është e qartë që për vetë koston e kartonëve të tyre, nuk mund t’i afrojë të tre.

Opsioni më i mundshëm është ai i veshjes bardhezi të qendërmbrojtësit holandez, i cili do të merrte një vend titullari në krah të Giorgio Chiellinit, me Bonuccin që do të shndërrohej në një rezervë luksi, bashkë me Ruganin. Aktualisht drejtuesit e Juventusit i kanë ofruar 70 milionë euro Ajaxit dhe një pagë prej 15 milionë eurosh në sezon, mbrojtësit holandez, ndërsa pritet vetëm që ky i fundit të ndajë mendjen për të ardhmen e tij.

Sa i përket mesfushorit Pogba, një rikthim i tij duket më i vështirë, qoftë për shkak të çmimit të lartë të kartonit, qoftë edhe për shkak të konkurrencës së fortë me Realin e Zinedine Zidane. United kërkon 150 milionë euro për francezin, shifër që vështirë se bardhezinjtë mund ta paguajnë.

Emri i fundit është ai i Chiesës, negociatat me të cilin momentalisht janë pezulluar. Bardhezinjtë kanë marrë një miratim paraprak nga vetë futbollisti disa muaj më parë, por për momentin janë të përqendruar në pista të tjera dhe vetëm nëse do të dështojnë në to, mund të rikthehen te Chiesa.