Presidenca i përgjigjet Komisionit të Ligjeve: Nisma kundër dekretit, verbëri politike

Presidenca i ka kthyer përgjigje Komisionit të Ligjeve në Parlament, lidhur me çështjen e zhdekretimi të datës së zgjedhjeve, 30 qershor.

Institucioni i Presidencës argumenton se dekreti i kreut të shtetit për datën e zgjedhjeve është kushtetues dhe ka pasur si qëllim shtensionimin e situatës dhe garantimin e stabilitetit të vendit. “Presidenti i Republikës, vlerëson se e gjithë veprimtaria aktuale parlamentare që përpiqet të godasë veprimtarinë e Presidentit të Republikës, por pa mundur të rrëzojë përmbajtjen e dekretit të Tij, është një proces i rremë, i pambështetur në argumente kushtetues, por vetëm i orientuar verbërisht politikisht”,– thuhet në përgjigjen e kreut të shtetit.

Lidhur me kërkesën për shkarkimin e kreut të shtetit, Presidenca e cilëson nismën e Kuvendit, si një proces të pambështetur në asnjë bazë ligjore dhe si një verbëri politike.

Përgjigja e Presidentit për Komisionin e Ligjeve 

Lënda: Përgjigje shkresës suaj me nr. 2502/3 prot, datë 19.06.2019.

Drejtuar: Zoti Ulsi Manja
Kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut
Kuvendi i Shqipërisë

I nderuar zoti Manja,
Presidenti i Republikës, u njoh me letrën nr. 2502/3 prot, datë 19.06.2019, të Kryetarit të Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, të Kuvendit të Shqipërisë.

Presidenti i Republikës, vlerëson t’i bëjë me dije Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut të Kuvendit të Shqipërisë se Dekreti nr.11199, datë 10.06.2019, “Për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019”, është marrë në mbështetje të plotë me dispozitat Kushtetuese dhe në mbrojtje të parimeve themelore që burojnë prej saj.

Ky dekret është në fuqi dhe është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 84, ditë e martë, 11 qershor 2019, e për pasojë është i njohur dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë, përfshi këtu edhe Kuvendin e Shqipërisë.

Dekreti i Presidentit është një akt i rëndësishëm me natyrë kushtetuese i marrë në respekt edhe të detyrimeve të Republikës së Shqipërisë që burojnë nga aderimi i saj në aktet ndërkombëtare dhe angazhimi në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Konkretisht ky akt i rëndësishëm i Kreut të Shtetit, i cili ndërpreu një proces zgjedhor fiktiv, të transformuar praktikisht në një proces votimi, pa garë dhe pa alternativa, respekton posaçërisht nenin 3 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe detyrimet që Shqipëria ka marrë përsipër me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit Shqipëri – BE, me hyrjen në fuqi më 29 gusht 2006.

Referuar këtyre fakteve dhe argumenteve të pakundërshtueshme, Presidenti i Republikës, vlerëson se e gjithë veprimtaria aktuale parlamentare që përpiqet të godasë veprimtarinë e Presidentit të Republikës, por pa mundur të rrëzojë përmbajtjen e dekretit të Tij, është një proces i rremë, i pambështetur në argumente kushtetues, por vetëm i orientuar verbërisht politikisht.
Ky proces i rremë dhe verbërisht politik nuk i shërben aspak zgjidhjes së krizës të thellë në të cilën ndodhet vendi, por përkundrazi e rëndon më tepër atë, si një përpjekje e shfrenuar për të thelluar ndasitë midis palëve dhe për të asgjësuar çdo mundësi për krijimin e klimës së dialogut e bashkëpunimit që Presidenti i Republikës, prej kohësh po i kërkon palëve.
Presidenti i Republikës është i bindur se, me dekretin e tij nr. 11199, datë 10.06.2019, jo vetëm ka bërë përpjekjen më të mirë për të evituar një konfrontim të mundshëm civil, në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të qytetarëve, stabilitetit demokratik, unitetit të popullit dhe rendit kushtetues, por njëkohësisht Presidenti, me aktin e Tij, ka mbrojtur parimin kushtetues të pluralizmit politik, mbi të cilin ndërtohet funksionimi i shtetit të së drejtës.
Presidenti i Republikës garanton Kuvendin e Shqipërisë se është në detyrë, i gatshëm që me përgjegjësi të plotë të ndërmarrë të gjitha vendimet e rëndësishme që do të diktojë situata dhe interesi më i mirë i vendit, në përputhje me kompetencat që i jep Kushtetuta dhe me betimin e tij solemn për t’i shërbyer interesit të përgjithshëm dhe përparimit të të gjithë Popullit Shqiptar!
Së fundmi, në vijim të shkresës suaj nr. 2502/3 prot, datë 19.06.2019, Presidenti i Republikës konstaton se Komisioni i Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, në Kuvendin e Shqipërisë nuk është njohur me arsyet e dekretit nr.11199, datë 10.06.2019 “Për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019” dhe për këtë arsye për një gjykim të shëndoshë (në se kjo do t’ju lejohet), po jua përcjellim bashkëlidhur.

SEKRETAR I PËRGJITHSHËM
Ornela ZONJA

(Në foto: Përgjigja zyrtare e Presidencës për Komisionin Parlamentar të Ligjeve)