Këngëtarët e tallavasë mbledhin lekët me lopatë ndërsa mjeshtri që prodhon kulturë penalizohet me taksa

Nga Ardian Ndreca –

Kompozitori Zef Çoba, të cilit kultura shkodrane e ajo kombtare i detyrohet shumë, paska dhanë dorëheqjen si dirigjent i korit “Rozafa Expression”, mbasi: “drejtoria rajonale e tatimeve i ka kërkuar që të paguhet tatimi i fitimi në burim në një kohë kur ky kor nuk ka asnje fitim sepse salla ku bëjnë provat është e dhuruar nga Marianne Graff ndërsa të gjitha shpenzimet e tjera janë mbuluar nga të ardhurat e veta e të ardhurat e korit”.

S’dyshoj shumë që nga ana formale ligji në fuqi vën në lëvizje mekanizma të këtilla idiote që nuk tatojnë por penalizojnë zhvillimin kulturor.

Nga ana tjetër po ky ligj nuk vepron kur kangëtarët e tallavave mbledhin paret me lopata dhe me thasë.

Shkatërrimi i përditshëm i kulturës tolerohet, puna ndërtimtare pengohet.

Shpresoj që Ministria e Kulturës të lëvizin pak nga vendi pse politikat kulturore nuk bahet me facebook e me telekamera non stop 24h, por edhe me nisma që synojnë me ndryshue kuadrin ligjor kur ky i fundit paraqitet absurd si në këtë rast.

S’ka me vonue e kanë me u ba bilancet e para të punës dhe gigabytet e fotove dhe videove që hidhen në eter janë krunde e jo kulturë.

Për Bashkinë e Shkodrës s’kam asnji fjalë, Zef Çoba ndoshta mund të kishte gjetë përkrahje po të prodhonte “molotoffa”, por mjerisht prodhon kulturë!