Basha deklaroi: 30 qershori, luftë qytet më qytet, fshat më fshat!

Opozita zhvilloi dje një nga protestat më masive në Shqipëri. Tubimi i radhës i Frontit Opozitar mblodhi në shesh dhjetëra mijëra shqiptarë kundër qeverisë “Rama”. Me mijëra qytetarë nga rrethet, por edhe si asnjëherë më parë nga Tirana, u mblodhën në sheshin para Kryeministrisë duke protestuar në mënyrë paqësore. Zhvillimi paqësorë i këtij tubimi ishte dhe mesazhi jo pak i rëndësishëm që qytetarët i dhanë gjithë Shqipërisë. Pas një jave me përplasje të forta mes qytetarëve dhe policisë për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor, dita e djeshme cilësohej si një moment kritik që do të sillte përplasje të forta. Revolta e qytetarëve ishte më e madhe se në çdo tubim tjetër, pasi përgjimet e publikuara nga gazeta “Bild” treguan se gjithë qeveria është përfshirë në vjedhjen e zgjedhjeve. Po ashtu dhe provokimet e policisë, arrestimet e ish-deputetëve dhe qindra qytetarëve kanë krijuar një klimë tensioni, saqë mjafton vetëm një incident dhe situata bëhet shpërthyese dhe shkon në konflikt civil. Qytetarë të revoltuar që kërkojnë një reagim më të fortë ndaj Edi Ramës në protestën e djeshme kishte me mijëra dhe nëse nuk do të ishin thirrjet e organizatorëve për qetësi, Tirana dje do të kishte pamjen e një sheshi beteje.

Drejtuesit e opozitës, të vetëdijshëm se aktet e dhunës sot i shërbejnë më shumë Edi Ramës sesa kauzave të saj, arritën dje të shmangin çdo incident mes qytetarëve dhe policisë. Një Tiranë e zhytur në kaos dhe qytetarë që përplasen me policinë do të ishte dhurata më e mirë për Edi Ramë, që dje të dilte të akuzonte opozitën si talebane. Por opozita nuk kërkon të djeg këtë vend, por ta ndryshojë për mirë dhe japë shpresë. Protesta paqësore ishte dhe një mesazh për ndërkombëtarët, duke treguar se opozita nuk janë anarkistët që pretendon Rama, por forca politike që mund ta qeverisin këtë vend shumë herë më mirë dhe t’i japin fund qeverisjes se një grushti njerëzish me krimin. Ndaj dhe mesazhet që erdhën dje nga protesta kombëtare ishin për zgjidhje paqësore dhe rikthimin e vendit drejt normalitetit. Përballë “çunave problematikë të Rilindjes” që janë kapur duke vjedhur zgjedhjet, duke shitur me koncesione Shqipërinë dhe duke vrarë demokracinë, dje në shesh ishte opozita dhe qytetarët si një alternativë e Shqipërisë normale. Dje Shqipëria normale e njerëzve që duan një mënyrë qeverisje më europianë ishte në shesh më shumë se ajo e Rilindjes që sa vjen dhe zhytet më shumë në zullume. Por edhe pse opozita tregoi dje se ka shumicën e qytetarëve, kriza sërish mbetet e ulur këmbëkryq dhe çelësi i zgjedhjes së saj mbetet Edi Rama. Kryeministri vijon më kokëfortësi të mos heq dorë nga zhvillimi i zgjedhjeve sipas stilit monist, pa opozitën. Gjithashtu, refuzon dhe mundësinë që Presidenti Ilir Meta i ka dhënë për daljen nga kriza duke shtyrë datën e zgjedhjeve dhe uljen në negociata me opozitën. Ndërkohë, mesazhet e opozitës dje nga protesta ishin dhe më të forta kundër kreut të qeverisë. Lulzim Basha deklaroi se opozita ka dy kushte të panegociueshme për zgjidhjen e krizës.  I pari, është largimi i Edi Ramës, si e vetmja mënyrë që garanton zgjedhje normale në vend. Sipas Bashës, përgjimet e publikuara nga “Bild”, ku Edi Rama është vetë pjesë e skemës së zgjidhjes e bëjnë të domosdoshme largimin e tij. Kushti i dytë, është lirimi i opozitarëve të arrestuar nga qeveria dhe dënimi i gjithë personave që rezultojnë në përgjime dhe denoncime si njerëz që janë përfshirë në vjedhjen e votave dhe manipulimin e zgjedhjeve. Sipas përgjimeve të gazetës “Bild”, në këtë listë janë ministrat dhe njerëzit më të afërt të Edi Ramës, duke përfshirë edhe atë vetë. “Ndërkombëtarët më në fund kanë kuptuar se përballë tyre ka qenë jo një kryeministër, por një kryemafioz. Atyre dua t’u them se standardi europian i kësaj zgjidhjeje kalon përmes dy hapave të panegocieshëm. 1.Largimin e Edi Ramës. 2.Zgjidhje politike; pa nxjerrë nga qelitë vëllezërit dhe motrat tona, se janë aty se protestuan për Europën, për Amerikën, pa futur aty ata që vodhën votën, nuk ka zgjidhje politike”,- deklaroi Lulzim Basha.

Gjithashtu, kreu i PD-së përsëriti në mënyrë të qartë se më 30 qershor as që mund të flitet për zgjedhje, duke premtuar luftë në çdo qyte e fshat me fshat. Për Edi Ramën 30 qershori mbetet një datë që nuk ndryshon dhe për pasojë as kushtet që Basha deklaroi në protestë, nuk do merren parasysh nga PS-ja.

Por lideri opozitar është i vendosur se nuk do të ketë votime me datë 30, çka do ta ndezë përplasjen civile.

Qamil Xhani