Voltana Ademi drejton protestën, thirrje policëve: Mos provokoni, ne jemi vëllezër

Protesta marshim e Shkodrës është udhëhequr nga kryebashkiakja, Voltana Ademi. Ajo ka bërë thirrje që qytetarët të mos shkaktojnë akte dhune, ndërsa i ka udhëhequr ata të marshojnë deri në pikën ku Rama do mbajë fushatën.

Sipas saj, kryeministri po mban një fushatë të paligjshme, pasi nuk ka leje nga bashkia e këtij qyteti.

Por ndërsa ka udhëhequr protestuesit ajo është parë disa herë në momente të vështira, si pasojë e gazit lotsjellës të hedhur nga policia.

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi iu ka bërë thirrje policëve që ata që janë të ndershëm të bëhen me protestuesit.

Ademi theksoi se nëse policët janë shqiptarë duhet të jenë me protestuesit. Ajo shtoi se vetëm policët kriminalë nuk bëhen palë me qytetarët. Ajo tha se policët po provokojnë konflikt mes vëllezërve.

“I thirrni mendjes. Mos veproni kundër urdhrave kriminale. Ju nuk mund të merrni urdhëra nga kriminelët për të na helmuar. Hqni skafandrat, ne jemi vëllezër. Ne jëmi këtu për t’u bërë të gjithë bashkë.

Ne jemi për të mos lënë kriminelin Edi Rama me klikën e tij të vazhdojë të kontrollojë ekonominë, të bëjë të ikin qytetarët e ndershëm, të mbjell krim.  Ne nuk mund të lejojmë që të mbyllen bizneset. Ne kemi ardhur për pronën tonë, për mbesën, nipin. Ne ju themi: mos provokoni”, tha Ademi.