“Vol-Vo 4”, ish-deputeti i PS përfundon te Krimet e Rënda

Janë mbyllur hetimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për 5 të pandehurit e arrestuar në operacionin “Vol-Vo 4”, ku protagonist ishte ish-deputeti i PS, Arben Çuko.

Prokuroria e ka çuar në gjykatë ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, dhe 4 të pandehurit e tjerë për akuzën e korrupsionit të zyrtarëve të lartë.

“Si rezultat i përdorimit të këtyre metodave të hetimit, nga përgjimi i bisedave telefonike të të pandehurve Arben Çuko, Artur Balla, Qerim Musha, Olsi Karagjozi, Denis Llaftiu, është dokumentuar veprimtaria e kundraligjshme e këtyre personave, të cilët kundrejt dhënies dhe përfitimit të paligjshëm në vlera monetare dhe materiale, kanë realizuar transferimin e të dënuarit Olsi Karagjozi nga vendi i vuajtjes së dënimit në IEVP Burrel, në një vend tjetër vuajtje dënimi, sipas preferencës së vetë të dënuarit, në IEVP Fier.

Sqarojmë se më parë, po në kuadër të hetimeve për procedimin penal nr.339 të vitit 2016, është paraqitur kërkesa për gjykim të 12 të pandehurve të tjerë dhe ndodhen për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, akuzuar për veprat penale’ Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’, në bashkëpunim, ‘Grupi i strukturuar kriminal’, ‘Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal’, parashikuara nga nenet 283/2, 333/a dhe 334 të Kodit Penal’, sqaron prokuroria.

Kush janë të pandehurit dhe akuzat ndaj tyre:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë me datë 19.06.2019 ka paraqitur kërkesë për gjykimin e çështjes penale nr. 339/2 të vitit 2016 në ngarkim të të pandehurve:

Arben Çuko (Ish-drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve), akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë’, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.

Qerim Musha, akuzuar për veprën penale ‘Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë’, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245, 25 i Kodit Penal.

Olsi Karagjozi, person që po vuan një dënim të mëparshëm, i akuzuar për veprën penale ‘Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë’, në bashkëpunim, parashikuarnga neni 245, 25 i Kodit Penal.

Artur Balla, i akuzuar për veprën penale ‘Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë’, në bashkëpunim, parashikuar nga nen i 245, 25 i Kodit Penal.

Denis Llaftiu, i akuzuar për veprën penale ‘Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë’, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245, 25 i Kodit Penal.