Tensionet dhe dhuna në KZAZ-në e Kukësit, 4 në pranga, 7 në kërkim

Policia e Kukësit ka arrestuar katër persona dhe shtatë të tjerë i ka shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen e djeshme në KZAZ nr.11, ku nuk munguan tensionet dhe përplasjet fizike.

Njoftimi i policisë:
“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje, më datë 19.06.2019, tek gjimnazi “Havzi Nela”, në KZAZ nr.11 Kukës, ku disa persona në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kanë tentuar të dëmtojnë materialet zgjedhore, kanë prishur derën e palestrës dhe kanë vënë zjarr, si dhe kanë kundërshtuar punonjësit e policisë, pas veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kukës, bënë arrestimin në flagrancë të 4 shtetasve, konkretisht:

-A. C., 46 vjeç, banues në Kukës, shofer në Bashkinë e Kukësit.

-E. H., 42 vjeç, banues në Kukës, shofer në Bashkinë e Kukësit.

-E. B., 26 vjeç , banues në Kukës, Inspektor i Policisë Bashkiake.

-E. M., 35 vjeç, banues në Kukës.

Janë shpallur në kërkim 7 shtetas, si dhe janë proceduar në gjendje të lirë 4 të tjerë, për veprën penale “Organizimi i paligjshëm i tubimeve”.

Materialet për veprime të mëtejshme do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprat penale “Kundërshtimi i Punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, “Mosbindja ndaj urdhrit të Punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, “Shkatërrimi i pronës”, ”Dëmtimi me dashje i materialeve zgjedhore, e mbetur në tentative”, “Organizim i paligjshëm i tubimeve” dhe “Prishja e qetësisë publike”.