Task-Forca fut në “sitë” nëpunësit e administratës të përfshirë në përplasjet e djeshme

Task-Forca po verifikon të gjitha rastet e nëpunësve të përfshirë gjatë dy ditëve të fundit në veprime të paligjshme kundër institucioneve dhe posaçërisht kundër institucioneve të administrimit të zgjedhjeve, në bashkitë: Tropojë, Gjirokastër, Shkodër, Kavajë, Kamëz, Vorë, Burrel, Berat dhe Devoll.
Sipas njoftimit dhënë për median, ky organ u bën thirrje nëpunësve të administratës të bëjnë punën që u është besuar në shërbim të qytetarit dhe duke mos u shndërruar  në vegla të luftës politike, dhe të bllokimit të proceseve integruese të vendit. Task-Forca po identifikon një për një nëpunësit civilë e ata me Kod Pune, të përfshirë në akte dhune ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit. Përfshirja e administratës në fushatë zgjedhore, si dhe në akte vandale kundër shtetit është e pa tolerueshme, në çdo rrethanë dhe cilido prej nëpunësve që do të bëhet pjesë e tyre, gjatë fushatës apo në ditën e zgjedhjeve, do të vihet përballë ligjit, ka bërë me dije në komunikatën e saj Task-Forca.

“Përfshirja e punonjësve të administratës shtetërore në veprimtari të paligjshme si cenimi i pronës publike, pengimi i mbarëvajtjes së institucioneve shtetërore, apo institucioneve në organizim të procesit zgjedhor përbëjnë akte tejet të rënda që cenojnë rendin publik. Braktisja prej nëpunësve publikë të detyrave ligjore në shërbim të qytetarëve dhe përfshirja në veprimtari politike, madje duke u bërë nismëtarë të akteve të dhunshme, të cilat kanë për qëllim pengimin e të drejtës kushtetuese për të votuar, vendosin një precedent të rrezikshëm. Task-Forca po identifikon një për një nëpunësit civilë e ata me Kod Pune, të përfshirë në akte dhune ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit.”, shkruan njoftimi.