Si të bësh plazh me pak para? Zgjidhja: Bukë me vete

Ne e dimë shumë mirë që pjesa më e madhe e të rinjve kanë të ardhura të pakta, ndaj u duhet ta planifikojnë me detaje një ditë plazhi. Melisa, Greta dhe Xhoni ishin te “Gjirin i Lalëzit”. Teksa janë ulur në një peshqir mbi rërë, ata bëjnë plane për udhëtimin e radhës. Si gjithnjë rregulli është i qartë: duhet një aktivitet me sa më pak shpenzime.

Ushqimi? Mjafton t’i kushtoni pak kohë në shtëpi duke përgatitur disa sanduiçë dhe ja ku mbaroi kjo pjesë.

Pije të ftohta? Mos harroni termusin dhe edhe kjo çështje u zgjidh.

Argëtimi në plazh? Asgjë nuk ju kushton që në momentin e fundit të merrni letrat dhe topin.

Një libër në çantë nuk është kurrë ide e keqe.

Në mbyllje Trending ka një mesazh shumë të rëndësishëm. Një qese bosh nuk duhet kurresesi të mungojë në çantë. Mbeturinat e ditës duhen grumbulluar për t’u hedhur në kosh. Jo pak herë kritikojmë plazhet tona për sasinë e madhe të mbetjeve të hedhura në rërë, e ato mbeturina nuk shpërndahen vetvetiu, është dora e njeriut që i hedh.