Sarri: Juventusi më befasoi, Ronaldon do e ndihmoj të thyejë rekorde

Maurizio Sarri është prezantuar ditën e sotme në konferencë për shtyp me skuadrën e Juventusit. Ish-trajneri i Chelsea-t dhe Napolit, është shprehur se e ka habitur fakti se si drejtuesit e ekipit torinez e kërkuan me shumë ngulm. Italiani nënvizoi se do të përpiqej që të ndihmonte Ronaldon për të thyer rekorde të reja.

 

“Tre vite më parë shkova te Napoli dhe dhashë gjithçka, pasi isha një tifoz i napolitanëve, që fëmijë. Kohët e fundit kisha një dyshim mes kënaqësisë që ndjeja kur drejtoja Napolin dhe logjikës që më thoshte se kjo eksperiencë kishte ardhur në fund. Kisha oferta edhe nga Italia atëherë, pro vendosa të shkoj një herë jashtë. Eksperienca në Premier League ishte fantastike, por më pas erdhi oferta nga Juventusi, klubi më i rëndësishëm në Itali dhe nuk mund ta refuzoja. Mendoj se ky është një kurorëzim i një karriere që në 80% të saj ka qenë shumë e vështirë. Jam i bindur që i kam respektuar të gjithë, ndërsa tani duhet të respektoj edhe veten time.

Ndjesia kur ju thirri Juvja? Ndjesia ishte e fortë dhe jo për kohën kur erdhi, por për mënyrën se si erdhi. Kam parë një shoqëri të vendosur dhe kompakte në vendimin për të afruar një trajner, gjë që e has për herë të parë në 30 vite. Klubi përbëhet nga njerëzit dhe kam mbetur i befasuar pasi i kam parë të gjithë të bashkuar dhe kompaktë, pasi kjo është diçka vërtetë e rëndësishme. Më bën përshtypje marrëdhënia mes njerëzve. Më mjaftuan disa darka me ta, për të kuptuar se kam të bëj me një mentalitet të fortë dhe grup kompakt e të vendosur. Kjo besoj se është shumë.

Objektivi? Juventusi ka detyrimin të futet në Champiopns me objektivin për të triumfuar në fund, por të njëjtat synime kanë edhe 8-9 klube të tjera të mëdha në Europë, ndaj kjo gjë bëhet e vështirë. Sa i përket kampionatit, përgjegjësia është më e madhe, pasi kjo skuadër fiton prej 8 sezonesh radhazi dhe duhet të mbrojë titullin.

Të stërvisësh Ronaldon? Është një përshkallëzim edhe në këtë këndvështrim. Vitet e fundit kam stërvitur shumë futbollistë të fortë, te Napoli dhe te Chelsea, por Ronaldo është njëri që shkon gati-gati në majë të botës. Ka arritur thuajse të gjitha rekordet botërore dhe do të më pëlqente të ndihmoja të mposhtë të tjerët. Do të doja të ndikoja në këtë objektiv.

Ndihesh tradhtar? Një lojtar i caktuar, që jeton në një ambient, bën deklarata të caktuara, pasi dëshiron të kalojë mirë aty ku është. Pastaj janë mesazhet private që thonë tërësisht të kundërtën. Unë jam një profesionist që bëj më të mirën në punën time, duke respektuar klubet ku punoj dhe duke dhënë 110%. Mendoj se ky është respekti. Të tjerat janë zgjedhje logjike, pa pasur vend për romanca”, deklaroi Sarri.