Salianji paralajmëron: Vendi, fuçi baruti

Ervin Salianji deklaroi në A2 CNN se Shqipëria sot është një fuçi baruti së cilës po i vendoset flaka për pushtet personal. Kur u pyet nëse rrezikohet sërish një vit 1997 në vendin tonë, ish-deputeti i Partisë Demokratike u përgjigj: “Unë nuk do të doja kurrë, por kur shikoj që edhe pas këtyre përgjimeve nuk ka asnjë reagim, edhe vetë nuk e di nëse do ta përmbaja dot veten në një studio televizive përballë maskarenjsh të cilët e trajtojnë Shqipërinë si plaçkë. Në këtë kuptim, kur nuk ka zgjidhje tjetër, është risk i madh dhe Shqipëria sot është një fuçi baruti së cilës i vendoset flaka afër për pushtet personal”.

Salianji shtoi se “përplasje do të kishte nëse ne do të hynim në zgjedhje, pasi vetëm me përplasje me armë bëhen zgjedhjet te ne”. ”Edhe Partia Demokratike ka pasur oferta nga bandat, por ne nuk e kemi bërë këtë zgjedhje dhe nuk do ta bëjmë. Po të përgatisnim edhe ne bandat tona, ku do të shkonte Shqipëria”, u shpreh Salianji.

Ndërsa kur u pyet nëse do të pengohen mbështetësit e Partisë Socialiste për të votuar, Salianji theksoi se nuk kontrollohen dot mijëra qytetarë me mllef kundër qeverisë: ”Nuk kemi punë fare me qytetarët, por nuk kontrollojmë dot mijëra qytetarë që përballen me qeverinë. Edi Rama duhet të tërhiqet dhe t’i hapë rrugë zgjidhjes politike”.