Rama kërkon miting në Shkodër, Ademi kundër: Do përdor policinë bashkiake

Kryeministri Edi Rama, pas kthimit nga Londra, ka paralajmëruar një takim elektoral në Shkodër në orën 19:00 por bashkia e këtij qyteti nuk ia ka miratuar lejen. Në përgjigjen zyrtare, bashkia sqaron se ky vendim vjen pasi po zbatohet dekreti i Presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve. Gjithashtu në përgjigjen e saj, bashkia sqaron se në të kundërt policia bashkiake do jetë e detyruar të realizojë detyrën e saj funksionale.

”Bashkia e Shkodrës, në zbatim të dekretit të Presidentit të Republikës për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe në kuadër të mbarëvajtjes së sezonit turistik, nuk ka miratuar kërkesën e Partisë Socialiste për zhvillimin e një aktiviteti elektoral në Pedonalen e qytetit. Bazuar në arsyetimin e mësipërm, në përgjigje të një shkrese të Komisariatit të Policisë Vendore Shkodër, Bashkia e Shkodrës ka vënë në dijeni për mosmiratimin e lejes për aktivitet elektoral të Partisë Socialiste. Policia Bashkiake është e vendosur të realizojë detyrën e saj funksionale ligjore për garantimin e rendit dhe qetësisë publike në të gjithë territorin e Bashkisë së Shkodrës dhe për çdo shkelje, të veprojë në bazë të kompetencave dhe legjislacionit në fuqi. Bashkëngjitur, komunikimi zyrtar i Bashkisë Shkodër”, thuhet në deklaratë.