“Njeriu i përkushtuar”, kineasti Piro Milkani, vlerësohet me çmim në Çeki

Kontributi 60-vjeçar i kineastit Piro Milkani është vlerësuar me çmimin “Falënderim njeriut të zotë” në Çeki. Ministri i Jashtëm çek, Tomas Petricek, i ka dorëzuar këtë çmim regjisorit shqiptar, i cili lidhjet e tij me këtë vend i ka të kahershme. Në vitet ’60 ai ka studiuar për regji, e më pas do të rikthehej sërish për të qenë ambasador i Shqipërisë në Çeki, kontribut ky që nuk do të ndalej me kaq. Në vitin 2002 Milkani realizon të parin film, prodhim shqiptaro-çek, “Trishtimi zonjës Shnajder”. Për  kamerën e “Report Tv”, regjisori rrëfen mbresat pas këtij vlerësimi.

Zoti Milkani, jemi këtu pas vlerësimit në Çeki, me çmimin “Falënderim njeriut të zot”. Një çmim, që u jepet personaliteteve që kontribuojnë në emër të Republikës Çeke. Çfarë mund të na thoni për këtë vlerësim, që ju është bërë?

Natyrisht që vlerësimi moral është më i rëndësishëm, se ai material. Kur vlerësohesh me diçka të tillë, je më i pasur se ata që kanë para. Unë në jetën time 60-vjeçare në kinematografi, kam marrë vlerësime, kritika edhe çmime të ndryshme. Vlera e këtij çmimi të rrallë, të veçantë, është që vjen nga një vend tjetër, nga një vend që unë e quaj atdheun tim të dytë, se natyrisht, që Shqipërinë nuk e ndërroj me asgjë tjetër. Çmimi “Falënderim njeriut të zotë” është krijuar në vitin 1997. Çdo vit Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson personalitete, që jetojnë jashtë Çekisë, jo brenda. Janë njerëz që jetojnë në diasporë, por që kanë bërë shumë për këtë vend.

Në motivimin që më bënë në momentin që më dorëzuan çmimin ndalën tek emri i mirë, që i kam dhënë universitetit ku kam studiuar, tek kontributi që kam dhënë në kinematografi, duke ndjekur stilin e shkollës, por edhe tek veprimtaria ime, si ambasador i Shqipërisë në Çeki. Njëkohësisht edhe tek, filmi i parë shqiptaro-çek, “Trishtimi i zonjës Shnajder”, që ka ndikuar në forcimin e këtyre marrëdhënieve. Përpos edhe tek disa libra që kam përkthyer.

Mes të vlerësuarave për këtë vit ishin vetëm 14 personalitete nga mbarë bota, mjek, piktor, muzikantë. Përpara vlerësimit ju bëni një tur në Kështjellën e Pragës, derisa më pas ministri i jashtëm Çek, iu dorëzon çmimet, në një ceremoni të veçantë, ku u mbajt edhe himni Çek…. Si i përjetuat këto momente, ku vlerësoheni si një ndër këta 14 personalitete?

Natyrisht që Ministria e Punëve të Jashtme, që e konsideron këtë si çmimin më të rëndësishëm, kishte një program special për ne. 14 laureatët nga e gjithë bota kishin të ftuar nga një shoqërues me vete. Ato ditë në Pragë ishte shumë vapë e madhe, por në program përfshihej edhe vizita në Kështjellën e Pragës. Është një nga kështjellat edhe një nga veprat më të rëndësishme në të Europës, që përshkruhet gjithë historia e popullit çek, që nis në shekullin e X dhe ka përfunduar në shekullin e XVII-XVIII. Është një kështjellë gjigante, e cila ka qenë rezidencë e perandorëve të Austro-Hungarisë në kohën kur Rudolfi i II-të shkoi atje edhe e transferoi kryeqytetin në Pragë, për disa vite. Por edhe perandorët e tjerë, Maria Tereza etj., kanë shkuar herë pas here, sepse Çekia edhe pse ishte një provincë e perandorisë, ishte pjesë e historisë. Arkitektura e Pragës me Vjenën janë të ngjashme, prandaj aty shikon historinë edhe vepra me vlerë. Ciceroni që na shoqëroi na tregoi një sallë të madhe ku ishte pinakoteka. Në atë sallë na tha, se: “Janë ekspozuar nga perandori Rudolf, 2400 piktura nga toka deri lart në tavan”. Këtë e them se Çekia është gjendur përherë në luftë. Në atë kohë, suedezët e egër pushtuan Poloninë edhe Çekinë. Kur hynë në Kështjellë vollën pikturat dhe i morën me vete. Ndërsa, ato të tavanit shpëtuan, një pikturë e madhe ishte e Rubensit, për të cilën ata menduan se ishte vizatim. Përpos që pamë nga afër edhe ambientet shtetërore, ku bëhen vizitat.

Ky vlerësim nuk ishte rastësor për ju, sepse lidhja juaj me Çekin ka qenë e kahershme, që në moshën studentore, në vitet ‘60. Më pas si ambasador në  Republikën Çeke, 2002 e më pas regjisor i filmit, “Trishtimi i zonjës Shnajder”, 2008. Nëse bëjmë një retrospektiv, si ka qenë kontakti juaj i parë me këtë vend? Si e kujtoni periudhën studentore?

Për fat të mirë në prag të 80-vjetorit tim të lindjes kam botuar një libër, “E pabesueshme, por e vërtetë” edhe aty kam përshkruar të gjitha emocionet e jashtëzakonshme, se si një djalë province nga një qytet malor, si Korça në kufi me Maqedoninë edhe Greqinë, arriti të shikonte Tiranën vetëm në vitin 1954. Ndërsa, një vit më pas me një grup të madh studentësh përmes udhëtimit aventuresk nga Durrësi deri në Konstancë, me anije edhe më pas me tren të kategorisë së tretë me stola dërrase, arritëm deri në Pragë. Më ka bërë shumë përshtypje, sepse Praga është qyteti i artë, qyteti i 100 kullave, qytet magjik. Vetvetiu që më ka lënë shumë mbresa, sepse ishte një gjë e jashtëzakonshme.

Çfarë morët nga ky vend?

Fakulteti i Filmit ku unë studiova ka nxjerrë shumë personalitete, si çek, polak, serb dhe jo vetëm, të cilët janë vlerësuar me shumë çmime. Kam pasur rastin të takoj nga afër regjisorin e njohur serb Goran Markovic, me të cilin kam biseduar: Përse ishte kjo magji? Nëse ishte vetëm shkolla apo edhe të tjerat? Aty ramë dakord se Praga ishte një qendër e madhe kulturore. Në atë kohë, ishte një qytet me 1 mln banorë edhe kishte 60 teatro, 70 kinema etj. E gjithë atmosfera artistike, që nëse je në gjendje ta thithësh, të ndihmon për të ardhmen.

Përse vendosët, që kontributi juaj të mos ndalet me kaq, por morët përsipër detyrën e ambasadorit. Një tjetër drejtim për katër vite?

Ishte një tjetër shans. Shkova në një vend që e njihja shumë mirë, që njihja gjuhën. Por që isha koshient, se duke u kthyer pas 40 vitesh rigjallërorva ato që kishin fjetur në memorien time, vetvetiu arrita që ta përvetësoj sërisht gjuhën, duke përkthyer edhe shumë libra. Të gjitha këto janë vëzhguar nga ambasadat. Prandaj edhe vetvetiu një ditë kanë çuar këtë propozim, për këtë çmim. Afërsisht janë 280 jubilantë edhe tre kineastë nga e gjithë bota. Këta janë Milosh Forman, çek i shkëlqyer, që gjysmën e jetës e kaloi në Hollivud edhe fitoi gjithë ato çmime “Oskar”. Edhe Agnieszka Holland, hebre-polake, që ka studiuar në Pragë edhe është vlerësuar me Oscar. Ndërsa, unë jam i treti, që ashtu siç thotë edhe ambasadori çek në Tiranë, se “Ky nuk është nder për Piro Milkanin, por për Shqipërinë”.

Mendoni se ka ndikuar edhe fakti, që ju keni qenë ambasador në këtë çmim?

Nuk e di për këtë, por në motivacion përmendet të treja, shkolla, diplomacia dhe kinematografia. Për ndër të këtij çmimi do të bëhet edhe një pritje në Tiranë. Ndiej një kënaqësi të madhe, por edhe mendoj se është një nder për Shqipërinë në radhë të parë.

Keni realizuar gjithashtu, të parin film shqiptaro-çek, “Trishtimi i zonjës Shnajder”…

“Trishtimi i zonjës Shnajder” ka qenë një eksperiencë e këndshme edhe e hidhur, sepse është xhiruar në kushtet e ekonomisë së tregut, ku pati vështirësi financiare. Por prapë dora e Zotit nuk mungoi. U vonua 2-3 vite derisa pala çeke gjeti mundësi për postproduksion. Një film, që e kam bërë në bashkëpunim me djalin tim Enon. Është një film me vlera profesionale, që ka marrë pesë çmime ndërkombëtare. Çuditërisht në Çeki nuk ka pasur ndonjë jehonë të madhe, por këto kohët e fundit, mendohet që televizioni çek do ta shfaq, për 1 mln spektatorë.

Sa ju ngacmon titulli i çmimit, “Falënderim njeriut të zotë”?

Ceremonia finale ishte e jashtëzakonshme, kishte shumë poezi brenda. Në sallën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, ministri na takoi të gjithë, ku më pas nën muzikë na dhanë edhe çmimet. Në fund u bë edhe një pritje në ambasadë. “Falënderim njeriut të zotë”, duke u nisur nga fakti, që nuk është abuzuar me këtë çmim, por u është dhënë njerëzve në mënyrë të kufizuar, aq sa kur unë shikojë se kam pasur fatin të bëj me mjekë, piktorë, regjisorë edhe sipërmarrës të njohur në botë, vetvetiu që është kënaqësi.

Pasionin tuaj për kinemanë, e keni përcjellë edhe tek brezat pasardhës, veçanërisht tek djali juaj, si ndiheni për këtë?

Magjia e ish- Kinostudios “Shqipëria e re” ishte se një bërthamë kineastësh të përgatitur në shkolla të mira, Moskë, Pragë, Budapest etj., që krijuan një grup kineastësh tepër solidar. Kristaq Dhamo, Dhimtër Anagnosti, Viktor Gjika, Hysen Hakani etj., ku bashkë me ta edhe unë, u dhamë gjithçka atyre regjisorëve që erdhën. Unë jam i lumtur që të them se Kristaq Mitro, Ibrahim Muço etj.,kanë qenë fillimisht bashkëpunëtor, e më pas kanë qenë të barabartë me ne. Nuk ka kënaqësi më të madhe, se sa kur një artisti që i ke dhënë gjithçka të ngrihet në nivelin e tij, s’ka gjë më të bukur. Ky lloj solidariteti ka bërë atë që në 50 vite në Kinostudio të krijoheshin vepra me shumë vlera, që shikohen edhe sot nga publiku.

Dhe së fundmi, pas viteve ‘90, si ka qenë ecuria e kinematografisë shqiptare?  

Unë jam i parimit që edhe pas viteve ‘90 ajo trashëgimi ka vazhduar. Ndryshimi është që para viteve ’90 bëheshin 12 filma. Ne nuk mendonim shumë për financën, ndërsa pas ’90-s është censura e parasë.

Për shembull, filmi “Delegacioni” me skenarë të të ndjerit Artan Minarolli, i cili e la përgjysmë, por që e vazhdoi Bujar Alimani është vlerësuar me çmim. Nuk është shaka që në Varshav, në një festival të tillë të fitosh çmim të madh, “Parullat” po ashtu. Ndërsa, kinemaja çeke prodhon 50 filma edhe nuk i ka këto trofe në këto dy tre vite. Prandaj jam i mendimit se me buxhet pak më të madh, do të kemi filma shumë më të mirë. Përpos që, edhe kineastët e rinj kanë se çfarë modelesh të ndjekin.