Përplasje të forta në Shkodër mes protestuesve dhe policisë

Në orën 18:00 protesta e opozitës nisi me tensione të forta në qytetin e Shkodrës. Policia goditi protestuesit që në nisje të protestës. Raportohet për disa qytetarë të lënduar dhe dhjetëra të tjerë të helmuar nga gazi lotsjellës.

Gjendja në Shkodër ishte shumë e tensionuar. Sirena policie, gurë, gaz lotsjellës, sirena ambulancash, të plagosur; kjo ishte pamja e qendrës së qytetit. Gazi lotsjellës ka pushtuar qytetin ku kryeministri Rama kishte takim.

Ndërkohë kryeministri foli, akuzoi dhe iku për Tiranë.

Policia sulmon kryebashkiaken e Shkodrës

Kryebashkiakja Voltana Ademi ka zbritur në shesh për t’ju bashkuar protestës së opozitës që kundërshton praninë e kryeministrit Edi Rama në Shkodër. Ademi nuk firmosi lejen për organizimin e takimit elektoral të Ramës duke theksuar se 30 qershori është shfuqizuar si datë për zgjedhjet lokale, por PS vendosi të vijojë me planin e saj. Ademi u shpreh pak minuta më parë se shkodranët nuk do të lejojë uzurpimin e qytetit nga një kriminel si Edi Rama. “Nuk mund të lejojmë që një bandë kriminale të uzurpojë qytetin. Shkodra ka demonstrua të gjithë jetën e vetë që nuk mund të lejojë uzurpatorin dhe kriminelin e Edi Rama dhe të tjerë përpara tij. E drejta jonë për të protestuar dhe për të thirrur ‘Rama ik’, është e drejta jonë legjitime”, u shpreh kryebashkiakja demokrate.

Ajo deklaroi gjithashtu se “nuk ka asnjë arsye që Policia e Shtetit të gjuajë mbi njerëzit, qoftë me gaz, qoftë me helme.” Menjëherë sapo Voltana Ademi është afruar pranë kordonit të policisë, ndaj saj u hodh gaz lotsjellës. PD e konsideroi veprimin e policisë ndaj kryebashkiakes si një akt të paprecedent. Mbështetësit e opozitës vijojnë të qëndrojnë pranë sheshit ku do të mbahet mitingu elektoral i Partisë Socialiste. “Rama ik” është thirrja më e shpeshtë që dëgjohet nga protestuesit.

Policia me snajper në Shkodër