Gerrard i jep një goditje të rëndë Grezdës, ja vendimi përfundimtar

Eros Grezda nuk do të jetë pjesë e skuadrës së Rangers në Portugali javën e ardhshme, sipas agjentit të sulmuesit. Trajneri Steven Gerrard ka vendosur që ta lërë jashtë ekipit futbollistin e kombëtares sonë, teksa nuk do të udhëtojë me shokët, këtë të shtunë.

 

Grezda nuk po kalon aspak një moment të mirë, pasi u largua edhe nga grumbullimi me kombëtaren kuqezi nën drejtimin e Rejës. 24-vjeçari nuk arriti që të gjente gjuhën e përbashkët me strategun italian, duke shpjeguar largimin me ‘arsye personale”.

Menaxheri i tij, Ives Cakarun, ka pranuar se sulmuesi i krahut nuk do të jetë me ekipin në fazën përgatitore: “Ai është ende me Rangersin, por për momentin dhe nga fakti që ishte me kombëtaren dhe kishte disa probleme javën e fundit, nuk do të jetë me ekipin në fazën përgatitore”.

Grezda i kushtoi 2 milion euro skocezëve kur e blenë nga Osijeku vitin e kaluar dhe u konsiderua si dështimi më i madh i merkatos. Cakarun zbuloi muajin e kaluar se Grezda ishte në bisedime me Gerrardin për të ardhmen e tij, por thotë se nuk ka pasur zhvillime të reja. Me shumë mundësi Grezda do të largohet gjatë kësaj vere, teksa destinacioni i tij mund të jetë kampionati kroat, atje ku ai ka bërë shumë mirë në të kaluarën. /R.Lika-Koha Jone/