Denaj: Lehtësohen procedurat për përdorimin e tokës shtetërore për investime private

Në praktikën e deritanishme janë ndeshur raste kur planet e zhvillimit urban të njësive të vetëqeverisjes vendore parashikojnë kryerjen e investimeve në sipërfaqe toke që prek apo kufizohet me sipërfaqe toke në pronësi të qeverisjes qendrore ose njësive të vetëqeverisjes vendore. Gjithashtu, janë hasur edhe paqartësi në regjimin juridik të tokës, i cili ndryshon në varësi të llojit dhe mënyrës së përdorimit të saj. Një projektligj i fundit synon ndryshime, që do të ndihmojnë në zgjidhjen e disa problematikave, që ndeshen aktualisht, me disa sipërfaqe toke shtetërore, të cilat preken nga planet e përgjithshme vendore.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, prezantoi para deputetëve në Parlament projektligjin “Për disa shtesa në aktin normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr. 9967, datë 24.7.2008, dhe ndryshuar me ligjin nr. 3/2015”.

Denaj tha para deputetëve se ndryshimet e propozuara do të ndihmojnë në zgjidhjen e disa problematikave që ndeshen aktualisht, me disa sipërfaqe toke shtetërore, të cilat preken nga planet e përgjithshme vendor. Ministrja vuri në dukje se situata aktuale në drejtim të planifikimit dhe realizimit të planeve zhvillimore urbane që projektohen dhe administrohen nga autoritetet kompetente vendore në bashkëpunim me pushtetin qendror dhe interesin për investime të shprehur nga pala private, paraqitet e tillë ku sipërfaqe toke/trualli të konsiderueshme, në pronësi të shtetit, janë në gjendje stoku pa mundësi shfrytëzimi, pasi kuadri ligjor në fuqi nuk e ka të parashikuar rregullimin e kësaj gjendje.

Pikërisht për këtë arsye, tha ministrja, në funksion të nxitjes dhe mbështetjes së zhvillimit urban sa më të qëndrueshëm dhe dinamik, me qëllim shfrytëzimin e këtyre sipërfaqeve toke/trualli në pronësi të shtetit, është e nevojshme ndërhyrja legjislative në ligjin në fuqi që rregullon këto marrëdhënie.

Denaj theksoi faktin se këto ndryshime ligjore shërbejnë në vijimin e rrugës për lehtësimin e investimeve private të huaja dhe shqiptare në vend. ”Ndërhyrja legjislative e propozimit të paraqitur nëpërmjet këtij projektligji, konsiston në plotësimin e ligjit me dispozitat e nevojshme që mundësojnë vënien në shfrytëzim të këtyre sipërfaqeve toke/trualli pa mundësi shfrytëzimi për shkak të pamundësisë teknike që rrjedh nga gjendja e tyre fizike (sipërfaqe të vogla). Ndryshimet e propozuara i shërbejnë në mënyrë të balancuar interesit publik dhe atij privat, pronarë kufitar të këtyre pasurive shtetërore, për të realizuar një projekt sa më të plotë investimi”, u shpreh Denaj.