Bullgaria i jep një dorë Shqipërisë: Gabim historik nëse nuk fillojnë negociatat në tetor

Shqipëria as këtë qershor nuk do të marrë një përgjigje për hapjen e negociatave. Këshilli Evropian do ta thotë fjalën e tij për Shqipërinë dhe Maqedoninë jo më larg se tetori.

Ndërkohë Holanda, pasi dërgoi në Komisionin Evropian kërkesën për rikthimin e vizave me Shqipërinë, i mbylli derën edhe hapjes së negociatave me Shqipërinë. Përsa i përket shteteve të tjera, Gjermania është skeptike, pasi Bundestagu është i ndarë në dy pjesë dhe nuk ka ende një vendim final për Shqipërinë.

Edhe Franca mbetet skeptike, pasi është kundra zgjerimit të BE-së, duke parë diferencat ekonomike që kanë vendet e unionit. Ndërkohë një lajm i mirë vjen nga Bullgaria.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva ka dalë në krahë të Shqipërisë. Ajo është shprehur se në tetor do të ketë një përgjigje si për Shqipërinë, ashtu edhe për Maqedoninë.

Më tej ajo shtoi se Shqipëria dhe Maqedonia nuk do të ndahen, por do të futen si bllok në union. Përveçse shprehu mbështetjen e Sofies zyrtare, shefja e politikës së jashtme bullgare tha se do të jetë një gabim historik nëse nuk fillohen negociatat me të dyja vendet.

Ajo u shpreh:

Nëse statusi do t’u jepet apo jo të dy vendeve, këtë gjë nuk mund ta them. Lajm i mirë është që nuk do të ketë ndarje të dy shteteve, siç donin disa vende të Bashkimit Europian. Vendimi është jo më vonë se në tetor dhe Këshilli Europian do ta shqyrtojë këtë temë dhe do të rekomandojë fillimin e negociatave. Bullgaria i mbështet të dy vendet. Ne vlerësojmë se do të jetë gabim historik nëse nuk fillohen negociatat me të dy vendet.