Braçe humb toruan dhe i hakërrehet gazetares: Urdhrat konsumoi me shefin në zyrë

Zv. kryeministri Erion Braçe iu përgjigj interesit të gazetarëve në lidhje me çështjen e përgjimeve.

Ai zhvilloi një debat të ashpër me gazetaren e Faxnews.

Kjo e fundit i kërkoi shpjegim në lidhje me përgjimet e dosjes 339, nëse është normale që Astrit Avdylaj i kërkon shefit të ujësjellësit listën e punonjësve.

Gjithashtu Braçe u pyet edhe për standartet e dyfishta në PS, ku nga njëra anë ish-ministri Tahiri konsiderohet dru i kalbur, ndërsa nga ana tjetër eksponentët socialste të kapur në përgjime, jo.

Kjo pyetje ka nervozuar Braçen, i cili në debat e sipër i është drejtuar gazetares, duke i thënë që ti konsumoj urdhrat në zyrë me shefin.

Më tej në përfundim të intervistës, teksa po ngjiste shkallët e parlamentit, Braçe bën me gisht drejt gazetares.

Pjesë nga debati:

Erion Braçe- Ambrozia Metës: Çlirohu nga emocionet, lërja emocionet… a mund ta mbaroj unë?!

Gazetarja Ambrozia Meta- Braçes: Nuk kam fare emocion, kam shqetësim për përgjimet që dalin, jam e shqetësuar për standardet. Pse nuk ndiqet i njëjti standard që ndoqët me Saimir Tahirin.

Braçe- Metës: Ti e TV tuaj e shpallet Tahirin kriminel, tashmë i dilni në mbrojtje…., deri dje ti personalisht dhe televizioni yt e keni shpallur Tahirin bandit, shyqyr që tashmë po e shpallni të pafajshëm

Meta-Braçes: A është normale ky terror ndaj punonjësve? O do votoni, o do ikni nga puna

Braçe-Metës: E di ti ç’është terrori? Terror është të vritet deputeti 1 muaj para zgjedhjeve, terror është të vendoset pistoleta te koka.

Meta- Braçes: Pse s’mbajnë përgjegjësi eksponentët e PS?

Braçe- Ambrozia Metës: Urdhrat bëji në TV tuaj, konsumoji me drejtorin në zyrë.

Meta-Braçes: Nuk janë urdhëra, janë pyetje!