Basha, Lleshajt: E ke vendin në burg. Reagon ministri

Kreu i PD-së, Lulzim Basha deklaroi sot se ministri i Brendshëm dhe gjithë zyrtarët e policisë që kanë shkelur ligjin me arrestimet e muajve të fundit të përfaqësuesve të opozitës do të shkojnë në burg.

“Tani dua të them edhe dy fjalë për të gjithë ata që i shërbejnë në mënyrë të verbër Edi Ramës në misionin e tij për të dhunuar qytetarët dhe duke përndjekur opozitën. Edi Rama nuk do t’ju mbrojë dot më. Nëse sot ai ju bën të ndjeheni të fortë dhe të paprekshëm, kur dhunoni njerëzit, nesër, do të provoni në palcë forcën e drejtësisë. Çdo regjim kriminal dhe diktatorial ka gjithmonë veglat e tij dhe, nëse bashkë me drejtuesit e këtyre regjimeve, nuk dënohen edhe veglat e tyre, nuk do ketë asnjëherë drejtësi dhe përparim, siç nuk ka patur asnjëherë. Sandër Lleshaj është sot vegla më e ftohtë dhe e pashpirt e Edi Ramës. Në misionin e tij për të dhunuar opozitën, për të luftuar popullin, për të nxitur vëllavrasje, shkëlqen Sandër Lleshaj, që duket i lumtur për shërbimin e tij. Shumë shpejt ai do të mbajë përgjegjësi për helmimin, dhunimin dhe persekutimin, që u ka bërë qytetarëve për të mbrojtur Edi Ramën. Secili prej jush banditë me dhe pa uniformë, nga Ardi Veliu, polici kriminel, manipulator i hetimit të Agron Xhafajt deri tek Roland Hysat me shokë që marrin pjesë zellshëm në shkeljen e ligjit dhe dhunimin e qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë, edhe ju do të jeni në burg shumë shpejt. Në qelinë ku sot është Bardh Spahia do të jetë njëri nga ju nesër. Në qelitë ku ndodhen burra dhe gra protestues, baballarë dhe nëna, të rinj e të reja, do të jeni ju. Të gjithë ata drejtues policie, të gjithë ata prokurorë dhe të gjithë ata punonjës të organeve ligjzbatuese, që janë venë në shërbim të Edi Ramës për qëllimet e tij kriminale të mbajtjes së pushtetit përmes bashkëpunimit me krimin, vjedhjes së zgjedhjeve dhe dhunimit të qytetarëve, do të mbajnë përgjegjësi para drejtësisë”,- tha Basha.

Pas deklaratës së Bashës ka ardhur dhe reagimi i ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj. “Lulzim Basha vazhdon të hedhë natën zjarr dhe ditën kërcënime kundër shkollave, zgjedhjeve, policisë etj. Natën bëhet guerrilas dhe ditën prokuror, ndërkohë që është thjesht një i pandehur i shumëfishtë. Keqardhje për degradimin”,- shkruan në një postim në twitter Sandër Lleshaj.