Azil në Francë, riatdhesohen 127 shtetas shqiptarë

Azili në Francë është zonë e ndaluar për shqiptarët. Në aeroportin “Nënë Tereza”, kanë mbërritur 127 shtetas shqiptarë me avionë të posaçëm, të cilët janë riatdhesuar pas refuzimit të kërkesës për azil nga autoritetet franceze. Operacioni i riatdhesimit u zhvillua në bashkëpunim me Policinë franceze. Edhe gjatë këtij operacioni u riatdhesuan familje me fëmijë minorenë.

Në fluturimin e paradites u riatdhesuan 36 shtetas shqiptarë dhe në fluturimin e dytë në mesditë u riatdhesuan 91 të tjerë. Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda së bashku me znj.Gordana Tadic, N/drejtore territoriale e zyrës franceze të integrimit dhe migrimit, kanë theksuar se bashkëpunimi mes dy policive është i shkëlqyer dhe po punohet maksimalisht për parandalimin e azil-kërkimit.

Voda nënvizoi në fjalën e saj se çdo përpjekje për kërkim azili është e dështuar, askush të mos bëjë shpenzime ekonomike për të kërkuar azil, pasi mundësitë janë zero. Ajo apeloi për të gjithë, që të ndjekin rrugën ligjore për t’u punësuar në vendet e BE-së. Operacione të riatdhesimit do të ketë dhe në ditët në vijim, jo vetëm me Francën por edhe me vendet e tjera të BE-së.