Qytetarët në protestë kundër zgjedhjeve pa opozitën, reagon OSBE

Zyra e OSBE në Tiranë ka reaguar për incidentet e zhvilluara ditët e fundit. Në reagimin e saj, OSBE nuk mban asnjë qëndrim për kontekstin mbi të cilin po zhvillohen ngjarjet në Shqipëri, por u kërkon përfaqësuesve të opozitës të shmangin aktet e dhunës. Qytetarët janë ngritur në protestë kundër mbajtjes së zgjedhjeve pa opozitën.

Në deklaratën e OSBE nuk ka asnjë rresht për aktet e qeverisë, të cilat janë krejtësisht në shkelje ligjore. Gjithashtu nuk ka asnjë qëndrim për dhunën e policisë ndaj qytetarëve. Kujtojmë se dy persona janë plagosur në Burrel dhe ndodhen në gjendje të rëndë në spitalin e traumës në Tiranë. Dëmtimet e tyre janë shkaktuar nga Policia e Shtetit.

Deklarata e plotë OSBE

Prezenca e OSBE-së i dënon me forcë sulmet e dhunshme të këtyre ditëve kundër organeve përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve, në disa bashki në Shqipëri. Të gjitha proceset politike dhe administrative duhet të zhvillohen në përputhje me parimet e shtetit ligjor.

Çdo përpjekje për të nxjerrë nga shinat procesin demokratik, përmes veprimeve të dhunshme, përbën shkelje të ligjit, pengon përparimin e vendit dhe njollos reputacionin e tij ndërkombëtar. Jo vetëm autorët e dhunës, por edhe nxitësit e saj, duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore. Ne bëjmë thirrje që autoritetet shtetërore të ndërmarrin të gjitha masat, sipas legjislacionit në fuqi, për të hetuar dhe ndjekur penalisht përgjegjësit e dhunës.

Gjithashtu, u bëjmë thirrje organizuesve të protestës së të premtes të sigurojnë një protestë paqësore. Në përputhje me mandatin e saj, Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të mbështetë shtetin ligjor dhe demokracinë në Shqipëri.