Përgjimet, Gjiknuri përpiqet: As nuk blejmë vota e as nuk gënjejmë. Ne jemi përfaqësuesit e denjë

Damian Gjiknuri, koordinatori politik i Qarkut gjatë vizitës së tij në Rajonin nr 1, në Vlorë, deklaroi se Partia Socialiste as blen e as shet vota, dhe se arsyeja pse goditen figurat kryesore të partisë Socialiste është tërësisht politike.

Damian Gjiknuri: “Ne as blejmë vota e as gënjejmë njerëz, ata nuk kanë përfaqësi fare në Vlorë, ata e mendojnë Vlorën në xhep, pa qenë këtu. Pra praktikisht këtë bëjnë në gjithë Shqipërinë, dhe kjo është arsyeja pse goditem unë, pse goditet Edi Rama, pse goditen figurat kryesore të Partisë Socialiste, sepse ata nuk kërkojnë zgjedhje ata kujtojnë se duke hedhur këto lloj shashkash të gatuara në kuzhinën e Partisë Demokratike, do të arrijnë të  nxjerrin diçka në dritë. Por votat nuk sigurohen me skenare të blera dhe të trilluara. Ne jemi vërtet përfaqësuesit e denjë të Vlorës”.

Takimi me banorë të rajonit nr.1,  ishte në vazhdën e takimeve elektorale me banorët e Vlorës. Damian Gjiknuri në këtë takim me banorët ishte sëbashku me kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

Në rajonin nr.1,  kandidati i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, u takua me banorë të zonës teksa kërkoi votëbesim për të vijuar projektet e nisura gjatë mandatit të parë.

‘Ne po arrijmë të kthejmë në identitet Qendrën Historike të Vlorës, ndaj në 30 qershor të votojmë. Dëshiroj që ne ti vazhdojmë projektet, ta përfundojmë qendrën historike të qytetit. Ti japim asaj imazhin e bashkisë së Vlorës, që u rikonstruktua e gjitha nga e para dhe do t’ja dalim sepse ne dimë të zgjedhim, dimë të votojmë.”-tha Dritan Leli.