Pas 5 vitesh hetime zbulohen katër emrat që rrëzuan avionin MH17

Grupi i hetuesve ndërkombëtarë të udhëhequr nga Holanda për rrëzimin e avionit MH17 në vitin 2014 ka dalë me katër emra konkret të dyshuarish. Tre janë shtetas rusë, banues në rusi ndërsa njëri është shtetas ukrainas dhe dyshohet se jeton në Ukrainën lindore.

Shtetasit rusë janë Igor Girkin, Sergej Dubinskiy dhe Oleg Pulatov, ndërsa Leonid Kharchenko është me kombësi ukrainase.

Igor Girkin (i njohur gjithashtu si Strelkov) është një ish kolonel i FSB-së – shërbimi i inteligjencës i Rusisë, thonë hetuesit. Ai kishte titullin e ministrit të mbrojtjes në qytetin lindor të Donetskut, që u mbajt nga rebelët. Ai besohet të jetë zyrtari më i lartë ushtarak në zonë i cili ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me Federatën Ruse. Në një deklaratë zoti Girkin tha: “Unë mund të them vetëm se milicia nuk ka gjuajtur ndaj avionit Boeing.”

Sipas prokurorëve, Sergei Dubinskiy (i njohur si Khmuriy), i cili ishte i punësuar nga agjencia e zbulimit ushtarak të GRU-së, ishte zëvendës i Girkin dhe gjithashtu në kontakt të rregullt me Rusinë.

Oleg Pulatov, i njohur si Giurza, është një ish-ushtar i GRU Spetznaz – forcat speciale të inteligjencës ushtarake të Rusisë – dhe ishte zëvendës kryetar i shërbimit të inteligjencës në Donetsk.

Leonid Kharchenko i Ukrainës nuk ka të shkuar ushtarake, por ka udhëhequr njësinë luftarake si komandant në Ukrainën Lindore, thanë prokurorët.

Të katër këta persona ndodheshin në Ukrainën lindore në natën e sulmit, tha zëdhënësi i hetuesve. Ekipi i hetimit konfirmoi gjithashtu se raketa erdhi nga një organizatë ruse.

Hollanda më tej ka thënë se Rusia nuk ka bashkëpunuar me procedurat e hetimeve të tyre dhe nuk presin që ato të njohin ndonjë nga akuzat e tyre.

Termi MH17 i referohet fluturimit MH17 të Malaysia Airlines, i cili u rrëzua mbi rajonin e Donetskut në Ukrainën lindore në korrik të vitit 2014. Të gjithë 298 personat në bord u vranë. 196 nga të vrarët ishin shtetas holandezë. Territori mbi të cilin u sulmua avioni u mbajt nga separatistët pro-rusë në një konflikt të vazhdueshëm midis forcave ukrainase dhe grupeve separatiste të mbështetura nga Rusia. Në vitin 2016, u zbulua nga një ekip hetimi se avioni u qëllua nga një armë ruse e Luftës së Ftohtë.

Moska thotë se nuk i besojnë hetimeve ndërkombëtare.

“Rusia nuk ishte në gjendje të merrte pjesë në hetim pavarësisht se kishte shprehur interesim që nga fillimi”, tha të mërkurën zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.

Ndërsa Hollanda dhe Australia e bëjnë Rusinë përgjegjëse për të goditjen e avionit, Putin ka thënë se incidenti ishte një “tragjedi e tmerrshme” dhe Moska nuk duhet fajësuar.