Lehtësim për konsumatorin britanik – Inflacioni bie në objektivin e Bankës së Anglisë prej 2%

Inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar u ngadalësua në muajin Maj dhe kostot në fabrikë ranë gjithashtu, duke prekur nivelin më të ulët në 3 vite. Këto të dhëna japin siguri për Bankën e Anglisë, që të mos rrisë normën bazë të interesit. Indeksi i çmimeve të konsumit u rrit me 2% me bazë vjetore në muajin Maj, pas një rritjeje me 2.1% në Prill, sipas zyrës së Statistikave në Londër.

Inflacioni i qëndrueshëm, së bashku me normën më të ulët të papunësisë në 44 vite dhe rritjen e pagave,  kanë ulur pasiguritë për konsumatorin britanik. Treguesi i çmimeve ka mbështetur gjithashtu Bankën e Anglisë që të qëndrojë në një ndalesë, ndërsa pret rezultatin e Brexit. Inflacioni bazë, që përjashton energjinë, ushqimin, alkoolin dhe duhanin, ra në 1.7%, që është norma më e ulët në 2 vite.

“Inflacioni në muajin Maj u ngadalësua prej rënies së çmimeve të udhëtimit nga nivelet e larta që prekën gjatë Pashkëve”, deklaroi zyra e Statistikave.  Inflacioni në Britani u rrit ndjeshëm në 2017, prej rënies së paundit që erdhi si pasojë e referendumit. Në Nëntor 2017 preku nivelin më të lartë në 5 vite prej 3.1% dhe tashmë ka prekur nivelin objektiv të Bankës së Anglisë prej 2%. Te prodhuesit, kosto e lëndëve të para, që shumica janë të importuara, u rrit me 1.3% në Maj, nga 4.5% që ishte në Prill.