Kryemadhi: Rama po nxit gjakderdhjen mes shqiptarëve

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, në një takim me strukturat e LSI në Fier, është shprehur se protesta e së premtës më 21 qershor, është bashkimi më i madh i shqiptarëve kundër së keqes. ”Protesta e së premtes bashkimi më i madh qytetar kundër së keqes. Të gjithë bashkë ta ndryshojmë këtë realitet të dhimbshëm. Qeveria një amalgame e krimit të organizuar me dhunën, arrogancën, grabitjen e taksave dhe pandjeshmërinë njerëzore”.

Kryetarja e LSI-së, akuoi kryeministrin Edi Rama, si nxitës të gjakderdhjes mes shqiptarëve dhe se Rama ka një plan ogurzi për vendin. ”Rama po nxit gjakderdhjen mes shqiptarësh. Gjithçka që t’i japim fund këtij skenari ogurzi. Rama është gati të sakrifikojë të ardhmen e Shqipërisë për karrigen e tij. Këmbët e karriges së thyer të pushtetit, dhuna, varfëria, krimi i organizuar dhe oligarkët e oborrit. Në betejën tonë për dinjitet, barazi ekonomike, integrim evropian nuk ndal asgjë. Rama i frikësuar deri në palcë nga drejtësia. Askush nuk e shpëton dot Ramën, as sot, as nesër”.

Duke folur për përgjimet e gazetës gjermane ”BIld”, Kryemadhi u shpreh se nuk befasohet. ”Nuk jam e surprizuar nga përgjimet e Bild.  Bild paraqet vetëm majën e ajsbergut të krimit më të madh elektoral në ndonjë vend evropian. Bashkëpunëtorë në këtë vepër kriminale Edi, ministrat, shefat e policisë, gjithë administrata shtetërore”. Nga ana tjetër, ajo tha se me këtë qeveri nuk hapen negociatat.