Tensione në Kavajë, qytetarët përplasen me policinë e Ramës  

Tensione dhe përplasje mes policisë dhe qytetarëve në Kavajë. KZAZ e Kavajës prej 4 orësh është marrë në ruajtje nga Policia e Shtetit dhe RENEA pas paralajmërimit të nënkryetarit të Bashkisë, Hysen Kadiu për dorëzimin e materialeve zgjedhore në Bashki, duke vënë në zbatim kështu dekretin e Presidentit Meta për anulimin e 30 qershorit si datën e zgjedhjeve vendore.

Qytetarët janë drejtuar drejt KZAZ dhe janë përplasur me forcat e rendit. Policia ka përdorur gaz lotsjellës. Qytetarët raportojnë se thuajse i gjithë qyteti i Kavajës është përfshirë nga gazi i pakontrolluar që hidhet nga policia.

Policia ka përdorur dhe shkopinjtë e gomës ndaj një pjesë të protestuesve që kanë tentuar të hyjnë në godinën ku ndodhet KZAZ. Nga ana tjetër qytetarët janë përgjigjur me gurë dhe sende të forta.

Ish-kryeministri i Sali Berisha shprehet se qyteti i Kavajës është vënë në shtetrrethim nga Policia e Shtetit dhe RENEA. Berisha me një shënim në “Facebook” thotë se kryengritësit e qytetit të Kavajës janë çuar në këmbë. KZAZ-ja e Kavajës për më shumë se katër orë është blinduar nga Policia e Shtetit dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Gjatë ditë së sotme ka patur një seri tensionesh në disa qytetet të vendit, ku mbështetësit dhe simpatizantët e opozitës janë përplasur fizikisht me efektivët, ndërsa nuk kanë munguar as arretimet.

“Kavaja ne shtetrrethim! Kryengritesit e saj ne kembe! Edvin largo urgjent narkobanditet nga Kavaja. Rama ik! Fitore! sb”-shkruan Berisha. Në Shkodër, Klos dhe Burrel mbështetësit e opozitës kanë hyrë me forcë në ambientet ku ndodheshin materialet zgjedhore dhe më pas i kanë nxjerrë jashtë duke i djegur si shenjë revolte, pasi kryeministri Edi Rama nuk është tërhequr pas dekretit të Presidentit, Ilir Meta, i cili është shprehur se nuk ka zgjedhje me 30 qershor. Kjo thirrje e Kreut të Shtetit të paktën deri tani duket se është “shpërfilluar” nga ana e maxhorancës.