Investigimi i BOOM për të drejtën e autorit: Ku shkuan lekët e producentëve?

Në vijim të investigimit të zbatimit të të drejtës së autorit në vend, emisioni  “BOOM” në ETV Ora u ndal sonte te lekët që Ministria tha se do ja kalonte AMP për t`i shpërndarë te producentët, pra të ardhurat që janë mbledhur në periudhën janar-korrik 2018, kohë kur AMP nuk u rilicensua më, por në vend të saj u licensua Gramma. A i morën producentët këto lekë apo jo?

Në 6 korrik 2018 kur u bë licensimi i agjencive të administrimit kolektiv, një nga agjencitë e cila kishte vite në treg, AMP, agjencia e mbrojtjes së producentëve nuk u licensua, por në vend të saj licensuan agjencinë e re Gramma. Për këtë drejtori i Drejtorisë së të Drejtës së Autorit tha së për kohën që ka funksionuar, pra deri në korrik 2018, do të bëhet kalimi i të ardhurave nga SUADA tek AMP, përmes një vendimi të marrë nga ana e tyre, por edhe ky fond as nuk i ka kaluar AMP, dhe as nuk i është shpërndarë producentëve.

Sofjan Jaupaj: Duke qenë se ne kemi pasur vetëm një ndryshim në lidhje me licensat për producentët, pra deri në korrik 2018 ka ekzistuar një agjenci e cila nuk u rilicensua dhe më pas kemi një licensim të agjencisë së re është marrë një vendim që ish-agjencisë AMP t`i kalohet shuma për të cilën ajo ka performuar gjatë 7 muajve të vitit 2018 , pra të gjithë produdentët të cilët përfaqësoheshin nga agjencia AMP do të marrin vlerat e tyre monetare për përdorimin e veprave të tyre. Këtu shihet qartë dhe qëllimi i Ministrisë që është mbrojtja e artistëve, producentëve etj.

Zamir Sukniqi: Sa i përket fondit që përmendët ai fond nuk është transferuar akoma në agjencinë AMP.Sipas dy vendimeve që kanë dalë, një nga KKDA, është marrë vendimi në tetor dhe ka pas afat për tu ekzekutuar deri në 30 nëntor 2018. Ky nuk është ekzekutuar. Sa i përket vendimit të dytë ka qenë deri në fund të janarit, por as ky vendim nuk është ekzekutuar.Arsyen nuk e di, por interesi ka qenë shumë i madh pasi janë shumë anëtarë që presin këto të ardhura sepse është pjesë e biznesit të tyre. Kam mbi 10 shkresa që i janë drejtuar Ministrisë së Kulturës për këtë problematikë që ato nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.Ky fond është 8 milion e 200 mijë lekë të reja.

Jeni vlerësuar për një performancë të mirë. Çfarë ka ndodhur, edhe një performancë e mirë, edhe nuk u rilicensuat?

Zamir Sukniqi: Ne arritëm për afërsisht 4-5 muaj të mbledhim në terren rreth 470 milion lekë që këto para u zhduken pa lënë gjurmë. Për arsyen duhet të flasin ata që e bënë këtë gjë dhe për këtë i dha përgjigje dhe vendimi i gjykatës, i cili thotë që Ministria ka marrë vendim të gabuar.Ajo gjëja që ne na shqetëson më shumë është sepse pas vendimit ato subjekte që janë licensuar nga Ministria që është Gramma dhe SUADA po vazhdojnë dhe mbledhin të ardhura, po mbledhin dhe në emrin tonë në një kohë që ligji e ka shumë të qartë, që duhet të mbledhin për ato që përfaqësojnë. 92% e tregut shqiptar sot është e regjistruar pranë AMP dhe asnjë nga këto nuk ka dhënë as dorëheqjen apo të iki në një agjenci tjetër.

Diskutimi mbi shpërndarjen e lekëve si pazari i Korçës

Po ku janë lekët e producentëve që duhet të shpërndante AMP sipas vendimeve të Ministrisë së Kulturës? I ka sporteli SUADA , por nga kamera e fshehtë e realizuar nga BOOM rezulton se këto lekë ajo do t`ja kalojë agjencisë Gramma jo AMP, ndërkohë që Gramma nuk ka ekzistuar fare në janar-korrik 2018.

Nuk ka qenë as e regjistruar në gjykatë. Në këtë rast sporteli SUADA nuk po zbaton 2 vendimet e Ministrisë, por po del mbi to duke dashur të favorizojë agjencinë Gramma. Kur flasin si do shpërndahen këto lekë, se Gramma nuk ka monitorim për se janë mbledhur këto para, thonë se do i referohen shpërndarjes që ka bërë AMP në 2017.

SUADA pranon që nuk ka monitorim dhe bëhen pazare për mënyrën si duan të ndahen këto para. Në këtë mbledhje marrin pjesë producentët që janë anëtarë të AMP, me drejtorin e SUADËS dhe me përfaqësues të agjencisë Gramma.

E.LL përfaqësuesja e Elrodi: Si do marrim lekët?

E. P. drejtor i sportelit SUADA: E para, të përcaktojmë shifrën dhe e dyta t`ja kalojmë Grammës si pjesë takuese e producentëve dhe Gramma t`ja u kalojë juve.

E.D përfaqësuesja e Superstar: Ti e ke marrë ok nga K.K.D.A-ja që të bëhet kjo lëvizje kalimi tek Gramma?

E.P drejtor i sportelit SUADA: Jo, se kam marrë ok unë.

E.D përfaqësuesja e Superstar: Sepse kur kemi qenë herën e fundit u diskutua që do t`i bëjmë një shkresë K.K.D.A-së që të na kthej përgjigje, që mund t`i kalosh tek Gramma, apo jo?

R.LL Përfaqësuesi i Elrodi: Ne tetor-nëntor ata kanë dhënë një letër që duhet t`i çohen AMP-së këto para. Kjo nuk është bërë. Do merren me anë të Grammës, se ajo ka qenë pa licencë. Duhet tani të japi ok Ministria?

E. P, drejtor i sportelit SUADA: Ne e menduam më thjeshtë, qe brenda ligjit të mblidhemi me një vendim këshilli dhe t`i kalojmë pa e lodhur shumë ministrinë. Varianti i dytë ishte qe ministria të na jepte një urdhër. Në situatën qe jemi ne me AMP që jemi në gjyq për dëmshpërblimin…

E.D përfaqësuesja e Superstar: Kur e ke hedhur në gjyq, se letra nuk thotë që e kemi hedhur në gjyq, thotë që do i drejtohemi gjykatës. I je drejtuar Gjykatës ti?

E. P drejtor i sportelit SUADA: Është gati padia, do hidhet.

E.D përfaqësuesja e Superstar: Se që nga korriku deri tani se di se çfarë ke pritur që se ke çuar në gjykatë?

D.D përfaqësuesi i Superstar: Atëherë nëse e ke bo ndërmend me e hedh në gjykatë këto s`kalojnë dot tek Gramma, sepse do vendoset çfarë do bëj gjykata.

H.P president i Gramma: Lekët thotë ai kalojnë kështu, ça halli keni ju se ça bën ai.

R.C Përfaqësuesi i Supersonik: Lejohet që ne t`i marrim lekët nga AMP-ja, apo jo?

E.P drejtor i sportelit SUADA: Që ju t`i merrni nga AMP-ja po, që ne t`ja japim AMP-së është problemi.

D.D përfaqësuesi i Superstar: Ne na takojnë nga 10.500.000, sipas llogarive.

E.P drejtor i sportelit SUADA: Ne bëjmë një llogari të përafërt.Llogaria e saktë bëhet pasi Ministria thotë shiko në agjencinë AMP përqindja takuese e secilës shoqëri , kjo është që e ka 10% , tjetra e ka 12%.

H.P president i Gramma: Sa e kemi totalin e shifrës?

E.P drejtor i sportelit SUADA: 61 milion. Tani nëqoftëse raporti i ministrisë, raporti i shpërndarjes që mund të na japi AMP- ja, nëqoftëse do thotë që në këtë sistem shpërndarje unë i kam njohur si një masë përdorimi në treg kësaj shoqërie, kjo shoqëri përdoret në 10 %, 15% , mjafton sa të jetë e shënuar aty, ashtu do bëhet llogaria.

E.D përfaqësuesja e Superstar: Për 2018 kanë ndryshuar raportet, se unë kam nxjerrë dhe 500 këngë të tjera.

H.P presidenti i Gramma: Po mirë na jep ti një zgjidhje.

E.D përfaqësuesja e Superstar: Se di, sipas monitorimit që ka bërë Suada në 2018.

H.P presidenti i Gramma: Çfarë monitorimi doni me u tall ju!

E.P drejtor i sportelit SUADA: Zamiri të na japi monitorimet që ka deri në korrik të 2018-ës.

H.P presidenti i Gramma: O Tano si e mendon ti, jam kurioz?

D.D përfaqësuesi i Superstar: 10.500.000 po të kalojnë në llogarinë time nesër jam në rregull unë.

E.P drejtor i sportelit SUADA: Ore për mua lë t`i marrin edhe më shumë, edhe më tëpër se 10 milion e 15 milion . Ne kur marrim vendimin duhet të kemi një pikë referimi. Për këtë periudhë e ke monitorimin e Zamirit , s`e ke.

D.D përfaqësuesi i Superstar: Ndaji me monitorimin nga korriku deri tani të Suadës, që e bën ti?

H.P presidenti i Gramma: Po nuk është mo, nuk ka monitorim mo Tano, ça monitorimi!

D.D përfaqësuesi i Superstar: Ndaji me tëndin, le të më bier 500 mijë lekë, ndaje.Ma nxirr monitorimin ti. 61 milion, ka problem me Grammën , po të marrim ne 30?

E.P drejtor i sportelit SUADA: Monitorim nuk ka njëherë. Për analogji, për referencë, se nëqoftëse një shoqëri e juaja ka pasur këtë peshë në treg në 2017, prezumohet që pak a shumë ka të njëjtën peshë në 2018. Thjesht më duhet një dokument, i cili thotë që në total AMP-ja ka shpërndarë kaq lekë, nga të cilat 2 lekë i kanë shkuar njërit, 3 lekë tjetrit.

H.P presidenti i Gramma: Tani pse doli atë ditë shtatë e gjysmë a seç ishte, nga doli ajo?

E.P drejtor i sportelit SUADA: Ne e llogaritëm 25,26 .

H.P presidenti i Gramma: Kjo llogaria nuk mund të shkoj 30 që të rehatohen palët?

E.LL përfaqësuesja e Elrodi: Që ta na heqësh qafe?

Shkeljet ligjore të drejtorit të sportelit unik SUADA

Në bisedën e anëtarëve të agjencisë AMP, me drejtuesit e agjencisë Gramma, në prezencë të drejtorit të sportelit unik SUADA, producentët kërkuan të shpërndahen të ardhurat që agjencia AMP ka mbledhur nga janari në korrik 2018 , të ardhura për të cilat Ministria e Kulturës përmes dy vendimeve i ka lënë detyrë sportelit Unik SUADA t`ja kaloj këtë shumë agjencisë AMP në mënyrë që kjo e fundit t`i shpërndajë te producentët.

Por drejtori i sportelit unik, Prof.Dr.Elir Puto, në shkelje të dy vendimeve të autoritetit më të lartë, Ministrisë së Kulturës , kërkon që këto para t`ja kalojë për t`i shpërndarë agjencisë Gramma, e cila është licensuar për herë të parë në korrik të vitit 2018 .

Duke mos shpërndarë lekët sipas vendimit të KKDA dhe Urdhrit të Ministres së Kulturës drejtuesi i sportelit SUADA ka shpërdoruar detyrën, dhe kompetencat e tij duke ndikuar drejtpërdrejt në favorizimin e agjencisë Gramma , duke ju kërkuar anëtarëve të AMP anëtarësimin në gramm-a për të përfituar këto fonde.

Gjatë bisedës së publikuar nga BOOM, z.Puto mashtron duke deklaruar fakte të pavërteta në kundërshtim me vendimin e KKDA dhe Ministrit të Kulturës.

Në lidhje me këto shkelje kodi penal parashikon masa të rënda, nga gjobë deri në burgim pesë vjet.

Në lidhje me mashtrimin Neni 143 i kodit penal thotë:

“Përvetësimi i pasurisë private ose publike nëpërmjet paraqitjes së fakteve të rreme ose duke fshehur fakte të vërteta, gënjeshtrës ose shpërdorimit të besimit, për vete ose persona të tjerë, përbën veprën penale të mashtrimit dhe dënohet me burgim deri në pesë vjet.”

Neni 164, Shpërdorimi i kompetencave parashikon:

“Shpërdorimi i kompetencave nga anëtarët e këshillit mbikëqyrës apo administratorët e shoqërisë me qëllim përfitimi apo për të favorizuar një shoqëri tjetër ku kanë interesa, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.”

Prof.dr Elir Puto së bashku me drejtuesit e Gramm-A po mundohen të shkëpusin anëtarët e AMP për ta shkrirë si OJF. Ndërkohë shpërndarja e paligjshme nëpërmjet Gramm-A i sjell asaj të ardhura në vlerën e kostove të administrimit të shumës që i takon AMP.

Gjithashtu S.UA.D.A bazuar në Udhëzimin nr 663 datë 10.10.2017 duhet të bëjë transparencë mbi veprimtarinë e saj në përputhje me ligjin 35/2016 , pra duhet të tregojë se për cilat vepra ka mbledhur të ardhura kreu 3 pika 6 dhe 7 e udhëzimit , por sikurse u zbardh nga biseda monitorimet si nga ana e sportelit unik suada ,po ashtu edhe nga agjencia gramma mungojnë, në shkelje të plotë të ligjit.

Ligji 35/2016 “Për të drejtat e Autorit” thotë:

“Agjencitë e administrimit kolektiv, mbledhin të ardhura nga përdoruesit mbi bazën e asaj që përfaqësojnë dhe e shpërndajnë këtë fond vetëm atyre mbajtës të drejtash që u është përdorur vepra, duke zbritur nga kjo pagesë vetëm kostot e administrimit.

Vlera 82 milion lekë e përmendur nga z.Sukniqi si pjesë takuese e AMP, rezulton se ka të zbritura kostot e administrimit nga veprimtaria e Suada deri më korrik 2018.

Por z.Puto së bashku me agjencinë Gramma në mënyrë abusive , kërkojnë që këto fonde t`ë kalojnë tek Gramma që kjo e fundit të përfitoj sërish një 30% nga kjo vlerë.

Ndikimi për anëtarësim tek Gramma

E gjithë kjo bëhet që antarët e AMP të kalojnë tek Gramma, pra të anëtarësohen aty, dhe ky është ndikimi i paligjshëm që bën drejtori i sportelit unik SUADA duke dashur të kaloj fondin e AMP te Gramma,sepse kështu edhe anëtarët e AMP për të marrë lekët ju kërkohet të antarësohen tek Gramma.

K. S (Gramma): Erdhën tek neve lekët , i kaloi Suada tek ne .Ejola ka ndonjë problem tani juridik, ça ka? Mbaroj ajo punë edhe Edit (përfaqësues i AKDIE) ja mbushëm mendjen dhe erdhën tek ne dhe këtu ju takon 30 milion, merrni ju 10,5,2…

Juristja e Grammës: Tani erdhëm në çështje pak a shumë teknike nga ana ligjore, domethënë për pjesën. Tani në momentin që erdhën lekët.

K. S (Gramma): Ejola është jurisja jonë.

Juristja e Grammës: Unë jam asistentja ligjore e agjencisë. E vetmja rrugë për të marrë këto para, në radhë të parë ju si ish- AMP, duhet të mblidheni të gjithë anëtarët domethënë dhe duhet të bëni një vendim, duhet të krijoni në fillim një komision me firmat tuaja të të gjithë anëtarëve dhe ky komision të përpilojë një vendim të jashtëzakonshëm për shpërndarjen e pjesëve takuese, siç ju takon domethënë sipas monitorimit që do caktohet, që do pranohet.

K.S (Gramma): S`ka monitorim, ça monitorimi.

Juristja e Grammës: Sipas mënyrës që është bërë në 2017.Për këtë mund t`ju asistojmë edhe neve domethënë, vendimin, të gjitha, pjesën ligjore dhe pjesën teknike të dokumentave mund ta përgatisim dhe neve dhe ju thjesht e lexoni e pëlqeni, nëqoftëse ka nevojë për ndryshime apo jo, e shikoni vetë dhe bini dakord domethënë të firmoset. Në momentin që përpilohet ky vendimi për ndarjen e pjesëve takuese, vendimi i komisionit, hapi i dytë do të jetë: Ne herën e parë të takimit ju sollëm formularët. Formularët e kalimit të të drejtave të producentëve dhe formularin e repertorit kur ishim me Kristaqin dhe Hektorin. Duhen plotësuar dhe duhen hedhur të gjitha në këto formularë, pra formulari i kalimit të të drejtave dhe formulari i repertorit.

D.C përfaqësuesja e Supersonic: Siç i kemi pasur te agjencia tjetër.

Juristja e Grammës: Po. Në të njëjtin format do plotësohet i gjithë formulari. Kur kalohet tek kjo pikë, pika e tretë do jetë normalisht anëtarësimi në agjenci.

Neni 132 i ligjit për të drejtën e autorit thotë:

“1. Agjencia e administrimit kolektiv do të administrojë të drejtat e autorëve vetëm në bazë të një kontrate të lidhur me autorin. Kontrata do të përfshijë, në veçanti, autorizimin e autorit për administrimin e të drejtave të tij, llojin e veprave dhe të drejtave për t’u administruar dhe kohëzgjatjen e kontratës, e cila nuk duhet të kalojë tre vite, e rinovueshme”.

Në këtë rast këta producentë i kanë kontratat e tyre me agjencinë AMP dhe jo me atë Gramma e në këtë mënyrë, nuk ka sesi këtë të drejtë mund ta ketë për periudhën kur nuk ka ekzistuar fare agjencia Gramma.Edhe sporteli unik SUADA nuk mund t`i kalojë këto lekë tek Gramma për sa kohë ata nuk janë anëtarë të saj.

Romeo Koçi për anëtarët e AMP

Romeo Koçi, në intervistë për “BOOM” u shpreh:

“Sot tregu shqiptar është i pastandardizuar dhe me këtë është abuzuar shumë të ashtuquajtur prodhues nuk janë prodhues,por janë të profesioneve nga më të ndryshme”

Duke qenë se drejtori i agjencisë së re Gramma deklaroi se është abuzuar me të ashtuquajturit prodhues, atëhërë BOOM po merr në analizë anëtarët e agjencisë Gramma, duke nisur nga themeluesit e saj.

Nga 11 antarët e kësaj shoqate 5 kanë dhënë dorëheqjen, me pretendimin se janë mashtruar prej saj. Të dorëhequr janë emra të njohur si Gentian Lako, Klevis Bega, Fevzo Subashi, Bledi Kalivaçi e Gramoz Kozeli.

Gjithashtu sipas dokumentit që BOOM disponon edhe Alban Skënderaj nuk ka nënshkruar.

BOOM vendosi të kërkojë në terren dhe dy nga themeluesit e tjerë të shoqatës Gramma , konkretisht shoqërinë Zyra Kombëtare e Import eksporteve të fonogrameve, me përfaqësues z.Marjus Seitaj dhe personin fizik Skënder Ymeraj.

Në ekstraktet e QKB, BOOM gjeti adresat e subjekteve dhe shkoi t`i kërkojë por nuk gjeti as njërën as tjetrën. Edhe në ekstraktin e QKB njëra del e pezulluar tjetra, e ç`regjistruar. Po ashtu pyeti dhe në një videotekë , por as aty asnjërin nga këta dy subjekte nuk e njeh njeri. Nuk kanë asnjë CD apo DVD të tyre.

Gjithashtu në lidhje me kontratat e lidhura mes agjencisë Gramma dhe antarëve të saj gjykata me vendimin 4794, konstaton se këto kontrata janë në kundërshtim me ligjin, pasi rezultojnë të jenë nënshkruar dhe lidhur përpara se Gramma të krijohet si ojf në regjistrin e gjykatës. Në këto kushte sipas gjykatës, gjithë procedura e licensimit të agjencisë Gramma nga ana e ministrisë së kulturës bie ndesh me ligjin dhe kriteret për licensim.

Vula e kontratave, Gramma nuk shpërndan dot lekët e saj, jo të AMP

Kontratat e lidhura ndërmjet Gramm-A dhe anëtarëve të saj janë janë lidhur përpara se Gramm-A të krijohet si OJF në regjistrin e Gjykatës. Këto kontrata janë lidhur më 25.05.2018, ndersa vendimi i regjistrimit në Gjykatë të kësaj shoqate është shpallur dhe jo zbardhur tre ditë më pas,datë 28.05.2018 gjë që bie në kundërshtim me ligjin mbi organizatat jo fitim prurëse, i cili përcakton qartë se OJF fitojnë përsonalitet juridik vetëm pasi të jenë regjistruar në Gjykatë.

Në të njëjtën kohë lind pyetja: Ku e ka gjetur vulën me të cilën në datën 25.05.2018 agjencia Gramma ka vulosur kontratat me antarët e saj për sa kohë, vula nuk mund të dalë pa dalë vendimi i gjykatës I cili u shpall në datë 28.05.2018?

BOOM pyeti nëse vula mund të dalë pa vendim gjykate dhe përgjigja ishte kjo?

Gazetari: Më fal a mund të bëj një pyetje?Dua të bëj një vulë për një shoqatë jofitimprurëse.Çfarë dokumentacioni ose letrash duhen?

Punonjësi i dyqanit të vulave: Çfarë ke, ke vendim gjykate a nipt a…?

Gazetari: Jo, e kemi hedh në gjykatë për regjistrim dhe po presim që të dali.

Punonjësi i dyqanit të vulave: Kur të dali, pa atë se bën dot.

Por megjithë këto shkelje të mos harrojmë dhe faktin se Gramma nuk po shpërndan dot lekët e veta, si do shpërndajë ato të AMP?

Ka pasur kalim të ardhurash nga momenti që jeni licensuar deri tani nga SUADA (sporteli unik) tek Gramma?

Romeo Koçi: Ka pasur një kalim, një shifër 4 milion lekë të vjetra të cilat ne i kemi thënë Suadës që t`ua u kalojmë përsëri atyre pasi akoma ne jemi në fazën që nuk kemi bërë detyrat, nuk është bërë standardizimi dhe plot hapa të tjerë që duhen bërë.

Dhe nuk keni si t`i shpërndani?

Romeo Koçi: Jo, jo ne nuk kemi mundësi të shpërndajmë dhe nuk do shpërndajmë pa u bërë hapat.

Gjithashtu drejtori i Grammës deklaroi se shumën prej 4 milion lekë që i ka kaluar sporteli unik Suada, do ja rikthejë sërish pasi nuk ka mundësi ta shpërndajë.

Sipas dokumentave që BOOM disponon agjencia Gramma jo vetëm që nuk ja ka kthyer këto 4 milion lekë sportelit SUADA , por kjo e fundit i ka kaluar Grammës edhe disa pagesa të tjera në datat dhe shumat e mëposhtme:

Në datë 22.01.2019, i ka kaluar shumën 1,629 ,742

Në datë 19.02.2019 shumën 602,878 lekë

Në datë 6.3.2019 shumën prej 1,246,272 leke

Ky investigim nuk do mbarojë me kaq, pasi BOOM do të publikojë edhe fakte të tjera në lidhje me këto abuzime.