Edi Rama nuk ishte as e ardhmja, por as e shkuara e këtij vendi

Nga Enton Palushi –

Pse nuk ecën ky vend – sepse shumica jonë duam politikanë që thonë se po merren me hallet e kombit, ndërkohë që na duhen ata që do merreshin me ëndrrat e kombit’.

Kështu shkruante me elegancë para pak ditësh në faqen e tij analisti Dritan Shano, duke prekur ndoshta thelbin e ekzistencës njerëzore. Një nga baballarët e psikologjisë moderne, Martin Seligman, thotë se njerëzit nuk janë projektuar për të jetuar momentin. Ata jetojnë shumicën dërrmuese të kohës duke menduar (ruminuar) për të ardhmen, praktikisht tre herë më shumë se sa kujtohen për të shkuarën.

Fiksimi njerëzor pas të ardhmes është burimi kryesor i ankthit dhe depresionit te njerëzit. Në këtë kuptim, zor se mund të ketë një qeveri tjetër që të ketë prodhuar kaq pak besim tek e ardhmja se kjo që po drejton aktualisht shqiptarët. Vërtet kur bie fjala për sondazhet, ato duhen kohë që të farkëtohen, por ‘mali’ i të dhënave dëshpëruese që mbajnë vulën e qeverisjes së Edi Ramës, dhe që janë përgatitur nga agjencitë më të specializuara të kësaj fushe si Gallup, është i rëndë.

Kështu, Shqipëria është vendi ku më shumë se 70 për qind e njerëzve thonë se e kanë përjetuar depresionin; Shqipëria është vendi me njerëzit më të palumtur në Europë; Shqipëria është vendi me njerëzit më të stresuar në Europë; Shqipëria është vendi me numrin më të madh të përdoruesve të kokainës në botë; Shqipëria është vendi me numrin më të madh të kafeneve në botë; Shqipëria ishte deri së fundmi vendi me numrin më të madh të pikave të basteve në botë.

Mbi të gjitha, Shqipëria është vendi ku shumica e njerëzve duan të largohen sa më parë, duke mos bërë këtu përjashtim asnjë kategori sociale. Në këtë drejtim, vetëm dy prej shteteve më të varfra në planet, Liberia e Haiti na parakalojnë.

Po si mund t’u thuash njerëzve që të qëndrojnë në Shqipëri kur ata shohin se si kjo qeveri nuk ka lënë gjë pa bërë, por i quan normale, madje thotë se të tilla gjëra ndodhin në botë dhe për to bëhen edhe filma?

Si mund të pretendosh që prindërit shqiptarë të rrisin fëmijët e tyre në këtë vend, kur të hënën e panë dhe dëgjuan nga gazeta më e madhe europiane, se si banda e pushtetit, që nga ‘shefi’ i madh e deri te ‘shefat’ e vegjël, u turreshin arsimtarëve për t’i ‘shklyer’ në kërkim të votave?

A nuk ishin rilindasit (ata të cilëve këta ua kanë përdhosur emrin deri në rrazë), që u thanë shqiptarëve se vetëm arsimi dhe dija është baza e të ardhmes?

Si mund të pretendosh që një shqiptar të ndërtojë jetën këtu pasi e vetmja gjë që u ofron qeveria është burgu? Pyesni e lexoni politologët më të njohur në botë, një gjë do ua thonë me siguri: politikanët dritëshkurtër nuk njohin zgjidhje tjetër për problemet përveç … qelive.

***

Të ofrosh të ardhmen është një sport i vështirë edhe për politikanët më të mirë, ndaj të kërkosh diçka të tillë nga qeveria e Edi Ramës është marrëzi. Problemi është se Rama nuk është e ardhmja, por ai nuk është as e shkuara.

Mes asaj që pretendon kjo qeveri, dhe asaj që deklaron opozita dhe një pjesë syhapur e medias, ka një det të tërë në mes. Për fat ne kemi arbitrat e huaj, ‘profesorët’ që na marrin në testim në rrugën drejt integrimit. Por këtë qeveri jo vetëm e kanë lënë në klasë, por as nuk po e fusin fare në provim.

Sigurisht ekziston një tezë e mbrojtur fort nga Rama se Europa është në një krizë dhe nuk i pëlqen zgjerimi. Madje kur bie fjala për Shqipërinë, disa prej ‘profesorëve’ po tregohen subjektivë, thotë kryeministri. Por kjo është një tezë për ata që e kanë kujtesën më të shkurtër se batutat pa lëng të kryeministrit me filxhan në dorë. Kthehuni pas në çdo kohë që të doni dhe do shihni se Europa gjithmonë ka qenë në dallgët e problemeve. Aq e vërtetë është kjo, sa thuhet se Europa është në krizë të vazhdueshme (perpetuale). Kjo situatë që po kalon Europa as nuk krahasohet me krizat financiare dhe krizën e borxheve të para një dekade, kur vetë ekzistenca e BE u vu në dyshim.

Mund t’u duket se këtë retorikë të Edi Ramës e keni të dëgjuar, për shkak se nuk ndryshon shumë nga ajo e paraardhësit të tij, që po ashtu ankohej për subjektivizmin e ‘profesorëve’ të BE. Nëse nuk e mbani mend, po ua rifreskoj kujtesën me shprehjen e tij të vazhdueshme se ‘duhet të dish të gjesh çelësat për të hapur secilën nga 28 dyer’.

Qeveria e shkuar kishte një thes me probleme dhe u ndëshkua për to në zgjedhje (një nocion që Edi Rama e ka kthyer në pikën zero). Po kur bie fjala te vlerësimi i ‘profesorëve’, ajo e tejkalon qeverinë e Edi Ramës në çdo drejtim.

Ajo ishte një qeveri që vulosi MSA-në me BE dhe ia la statusin e vendit kandidat qeverisë së Edi Ramës në një ‘pjatë të artë’ falë rotacionit të pushtetit.

Ajo qeveri festoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke e ankoruar ‘anijen shqiptare’ në një port të sigurt, pavarësisht ‘puhizave’ që shpërndan Edi Rama me kërcënime për ndikim rus dhe kinez. A thua se do e besojnë njerëzit që ky ndikim do vijë pa dijeninë dhe ‘vulën’ e qeverisë?

Ajo qeveri u dha shqiptarëve lëvizjen e lirë, ndoshta arritja më e madhe e tri dekadave postkomunizëm, një lëvizje që po rrezikohet në mënyrë të pabesueshme pas një dekade nga keqqeverisja.

Madje nëse doni, ajo qeveri e përdori dashurinë shqiptaro-amerikane për të shpallur nga Tirana pavarësinë e Kosovës. Kurse kjo qeveri e përdori këtë ndjesi për të çuar përpara një tezë për ndarjen e Kosovës, e cila sipas vetë ish-ministrit të Ramës, ka dalë nga sirtarët e vjetër të Serbisë së Madhe. Do mbetet si një njollë e zezë ai reagim triumfalist i Edi Ramës në Kuvend, kur e shiti si mbështetje personale të Amerikës për të, një telefonatë mbi tezën e ndarjes së Kosovës me një ‘skifter’ të presidentit amerikan- të cilin vetë e ka quajtur si një rrezik për botën.

Kaq shumë është katandisur Shqipëria në planin ndërkombëtar, sa na kanë parakaluar jo vetëm Serbia e Mali i Zi, por edhe Maqedonia është me një marsh më shumë dhe kërkon me çdo kusht t’ia heqin Shqipërinë problematike nga barra ku e kanë lidhur disa eurokratë.

Aq rëndë jemi sa edhe Kosova druhet se arritjen e saj më të madhe, liberalizimin e vizave, po e pengon Shqipëria.

Aq keq janë punët sa gazeta më e madhe europiane, Bild shkruan se Shqipëria po kthehet në rrezik për rajonin, një rajon që ka njohur luftërat, por nuk e kishte menduar se do kishte në gjirin e saj një ‘narko-shtet’.

***

Vendimi për të bllokuar nisjen e negociatave nga vendet që janë praktikisht esenca e BE- Gjermania, Franca e Holanda- është një damkë e rëndë për qeverinë shqiptare.

Ky është një tregues se qeverisja e Edi Ramës nuk është as e ardhmja dhe nuk ishte as e shkuara e shqiptarëve. Ajo rrezikon të mbetet thjesht si një aksident. Si një aksident i rëndë, pasojat e të cilit do të shihen tashmë që makina është përmbysur.

Ky vendim është tregues më i qartë se ora politike e Ramës ka vdekur, por ajo që e mban është shpresa se mund të zgjasë orën juridike. Historia ka treguar se shumë gjëra të këqija ndodhin kur politikanët duan ta zgjasin orën juridike pasi u ka vdekur ora politike./Mapo.al/