Aleanca qytetare Vlorë thirrje Presidentit: Shpërndaje Parlamentin, nuk përfaqëson elektoratin

Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë për Vlorën, zhvilloi një takim të hapur në të cilin përveç drejtuesve të partive të Opozitës së Bashkuar për Vlorën, morën pjesë edhe përfaqësues të Shoqërisë Civile, të Medies, të Organizatave të Biznesit dhe Profesionistëve, si dhe Intelektuale të shquar të Vlorës!

Në një deklaratë për mediet, thuhet se Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë për Vlorën, vlerëson me shqetësim të thellë krizën politike ku ndodhet vendi, rrezikun që i kanoset demokracisë dhe pluralizmit, si dhe stabilitetit të vendit nga tentativa e Edi Ramës për të zhvilluar një proces fals në 30 qershor. Sipas saj, anulimi i Zgjedhjeve nga Presidenti e ka bërë këtë proces tërësisht të paligjshëm dhe të pavlefshëm!

”Vazhdimi i veprimeve nga administrata zgjedhore dhe nga çdo institucion tjetër i bën ato përgjegjëse dhe bashkëfajtorë në përpjekjen e Edi Ramës për të falsifikuar pushtetin. Është provuar se parlamenti dhe qeveria janë produkt i vjedhjes së zgjedhjeve në bashkëpunim me krimin e organizuar; Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese është asgjësuar dhe Edi Rama ka marrë nën kontroll dhe keqpërdor organet e drejtësisë dhe KQZ; Kuvendi i Shqipërisë nuk plotëson detyrimin kushtetues të përfaqësimit me 140 deputetë, pra nuk përfaqëson as numerikisht elektoratin. Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë për Vlorën, i bën thirrje gjithë Qytetarëve vlonjatë të mos bëhen bashkëpunëtor të procesit të 30 qershorit, që synon eliminimin e pluralizmit politik dhe kthimin e vendit në monizëm”, thuhet në njoftim, duke shtuar se do të marrë masat që të ruajë rendon demokratik.