A do mundemi të krijojmë një familje përkthyesish të huaj, që t’i shërbejnë letërsisë sonë?

Nga Ben Andoni

Letërsia shqipe është duke përçuar vlerat e saj në botën e madhe të letrave. Por, duket se famën dhe emrin e Ismail Kadaresë nuk po mundet kurrsesi askush t’i afrohet. Kjo jo sepse në Shqipëri, diasporë dhe Kosovë nuk bëhet letërsi e mirë, por niveli i menaxhimit të letrave tona mungon krejtësisht. Janë gjithnjë e më shumë shqiptarë që po bëjnë letërsi bashkëkohore, por pamundësia e promovimit të tyre është e frikshme. Po kjo përbën një temë krejtësisht tjetër.

Kadare, i mbathur me çmime të shumta, ku mungon vetëm Nobeli, është kthyer në simbolin e letrave tona, por njëkohësisht edhe hija e të gjithë shkrimtarëve bashku shqiptarë. Për fatin e tij të madh, por aspak për fajin, ai ka pasur pranë vetes disa nga përkthyesit më të mirë të kohës, ku kulmon i ndjeri Vrioni, një punëtor i gjuhës gati i panjohur për vite me radhë de jure dhe de facto (emri i tij nuk pasqyrohej në frontespic) dhe që e lëvronte frëngjishten në lartësi vërtetë sipërore. Nuk mund të thuhet se të njëjtët ishin edhe ata të gjuhëve të tjera, paçka arritjeve, por për një gjë duhet të jemi të ndërgjegjshëm: Vrioni e bëri veprën e Kadaresë të tingëllonte mrekullisht në një gjuhë të madhe si frëngjishtja, nga ku kjo vepër bëri historinë e saj.

Një shembull i bukur i kohëve tona po vjen me Luljeta Lleshanakun dhe përkthyesen e saj po shqiptare Ani Gjika, e cila me punën e saj të jashtëzakonshme e ka përcjellë një letërsi të tillë në mes të veprave më të mëdha të njohura.

Të tillë mund të përmendim dhe një grup të tjerë autorësh-përkthyes tanë, por që gjithsesi nuk mund të zëvendësojnë kontributin që mund të japin familjen e përkthyesve të huaj, që duhet të përgatiten realisht për letërsinë shqipe. Një pjesë e tyre po ndihet nga autoritetet shqiptare, por që gjithsesi janë të pamjaftueshëm për kërkesat që ka letërsia jonë. Dhe, ndodh, se një pjesë e autorëve mundohen e futen gati në lidhje private me përkthyes, ndërsa këta të fundit nuk arrijnë të zgjedhin por përçojnë sipas gjykimeve jo institucionale.

Për fatin e madh po krijohet një grup përkthyesish nga vende të ndryshme që janë të lidhur ngushtësisht me gjuhën shqipe. Një fond, i cili ekzistoi me ministren Kumbaro dha rezultat, por tashmë ai po zbehet, ndërsa sensi i promovimit duket se ka rënë. Mbështetja përmes tij është një lloj ndihme për përkthyesit e huaj dhe shtëpitë e huaja botuese që njohin procedurat sesi aplikohet prej kohësh në të gjitha vendet e Evropës.

Kjo mënyrë ishte shumë frytdhënëse, pasi shtëpitë botuese mundeshin dhe mund të hartonin një plan afatgjatë botimi, e nëse do kishin planifikuar botimin e një libri nga gjuha shqipe, do kishin gati një kontratë blerjeje të të drejtave dhe një kontratë me përkthyesin.

Shqipëria nuk duhet të braktisë fondin e përkthimit, por edhe krijimin e një politike me institucionale për krijimin e një familje të huaj përkthyesish nga të gjitha gjuhët. Shqipja është një gjuhë e mrekullueshme, e aftë të përkthejë dhe të përkthehet, por e një vendi të vogël dhe të pafuqishëm. Na duhen ata përkthyesit e huaj, që të përçojnë shqipen ngado. Duket sikur janë të kushtueshëm, por puna e tyre është e pamatë.