Zyrihu kuq e zi, festivali gjigant i muzikës shqiptare

“Përshëndetje botë. Është koha për një kapitull të ri. Jeni gati? Le të bëjmë histori së bashku.” Kështu nis promoja e festivalit gjigant të këngës shqipe, që pritet të mbahet në Zyrih në datat 29-30 qershor. “Alba Festival”, e cila do t’i bashkangjitet skenës verore të festivaleve “Open Air” në Zyrih do të bëjë bashkë më shumë se 16 artistë të suksesshëm shqiptarë.

Rita Ora, Capital T, Elvana Gjata, Ardian Bujupi, Kida, Ledri Vula, Dafina Zeqiri, Gjiko, Lumi B, MC Kresha apo Lyrical Son janë vetëm disa nga emrat e yjeve të muzikës shqiptare, të cilët do të argëtojnë një turmë të tërë.

Siç organizatorët kanë raportuar për “AlbInfo”, në festival nuk do të lejohen individë nën moshën 18-vjeçare. “Ky festival synon të jetë një pikëtakim unik për një përzierje të muzikës moderne nga Shqipëria dhe nga Kosova si dhe të stabilizohet si një platformë për shkëmbimin ndërkulturor.” shprehet një prej organizatorëve.