Shtyrja e negociatave, Zgjidhja: Grushti i radhës për shqiptarët nga BE

Vendimi për hapjen e negociatave për Shqipërinë është shtyrë zyrtarisht për në vjeshtë.

Kështu komunikoi Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Johannes Hahn, në një deklaratë për mediat.

Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe partia “ZGJIDHJA”.

Në një deklaratë për shtyp, Zgjidhja e konsideron këtë një grusht për shqiptarët nga BE, ndërsa theksohet se është tragjike për Shqipërinë që jemi kthyer sërish si në vitin 2016 dhe si në qershorin e vitit të kaluar.

Deklarata e plotë: 

Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, në fund të takimit dy ditor të zhvilluar në Luksemburg, shtyu për në muajin tetor vendimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. 

Komisioneri për Zgjerimin Europian, Johannes Hahn, tha nuk do të hapen negociata me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të paktën për këtë verë.
“Duhet më shumë kohë për raportin e KE i cili jep vlerësimin pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Holanda, Danimarka, Franca dhe Gjermania kanë kërkuar qe çështja e zgjerimit të lidhen me zhvillimet në secilin vend dhe kanë kërkuar më shumë përpjekje”, u shpreh eurokomisioneri.

Është tragjike për Shqipërinë që jemi kthyer sërish si në vitin 2016 dhe si në qershorin e vitit të kaluar. Nuk janë më vetëm Holanda, Franca dhe Danimarka skeptike dhe refuzuese për Shqipërinë, por edhe Gjermania dhe shtete të tjera. Por nuk është faji i tyre, që ne nuk bëmë detyrat e shtëpisë.

Deklarata e mbledhjes së vitit të kaluar më 26 qershor 2018 e ministrave të jashtëm të BE-së thoshte shprehimisht: “Duke pasur parasysh progresin e mësipërm, në veçanti për pesë prioritetet kyçe, Këshilli pajtohet që t’i përgjigjet pozitivisht progresit të mësipërm të bërë nga Shqipëria dhe planifikon rrugën drejt hapjes së negociatave për anëtarësim në qershor të vitit 2019”.

Këshilli i Ministrave të jashtëm jepte edhe detyrat konkrete që duhej të kryente Shqipëria brenda një viti si: avancimin e mëtejshëm të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve; finalizimin e themelimit të organeve të specializuara, përkatësisht Strukturës Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimeve (BKH) dhe Gjykatës; forcimi i procesit të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë edhe në nivel të lartë; zbatimi i ligjit për reformën e nisur të reformës zgjedhore – ishin disa nga pikat kyçe të përcaktuara nga ministrat e jashtëm të BE-së, një vit më parë.

Një vit më pas jemi më keq. Kemi një qeveri që është faktuar se vepron si bandë kriminale për të rrëmbyer dhe blerë votat, terrorizuar administratën dhe familjarët e tyre, siç treguan bisedat e Ramës, Gjiknurit, Ndreut dhe zyrtarëve të tjerë të Rilindjes për të fituar në Dibër. Kemi një klasë politike që prej një viti bëri çmos që të mos reformonte zgjedhjet, duke ruajtur monopolin PS,PD, LSI mbi administratën zgjedhore, duke mos u prekur asnjë fije floku detashmenteve të komisionerëve të partive që vjedhin dhe trafikojnë vota për të vjedhur më pas Shqipërinë. Kemi një vend të ngërthyer nga krimi dhe korrupsioni, në çdo qelizë, që ushqehet nga piramida e qeverisë deri te funksionari më i fundit dhe mbahet në këmbë nga pandëshkueshmëria.

‘Jo’-ja e e sotme, është një lajm tragjik për Shqipërinë dhe shqiptarët, që kanë një qeveri të kapur nga mafia e drogës dhe e korrupsionit dhe një elitë të vjetër politike që i ka shkallmuar vlerat e demokracive perëndimore për të instaluar partitokracinë. Pa u shembur këto, nuk ka dritë jeshile për shqiptarët.