Negociatat në tetor? Mediu për ”KJ”: Rama instaloi Republikë bananesh

Nga: Redjon Shtylla

Komisioneri për Zgjerimin Europian, Johannes Hahn, tha në një konferencë për shtyp se Këshilli i Komisionit Europian, vendosi që për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk do të hapen negociatat, të paktën për këtë verë. ”Koha Jonë”, kontaktoi me kreun e Partisë Republikane dhe aleatin historik të PD-së, Fatmir Mediun, ku ju drejtuam me këtë pyetje: Si e lexoni këtë deklaratë të Presidencës rumune së BE-së dhe Komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn për negociatat? Pse ende Shqipëria nuk merr dritën jeshile dhe a ndihen përgjegjësi opozita për këtë dështim të qershorit, ku qeveria pretendoi për çelje të negociatave për anëtarësimin në BE?

Në komentin e tij, Mediu thotë se qeveria nuk ka plotësuar asnjë kush dhe se e ka kthyer Shqipërinë në një Republikë bananesh. Pasi për të, kryeministri Edi Rama ka vendosur mazhorancën në radhë për grusht shteti.

”Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë kusht të respektimit të shtetit të së drejtës. Ne jemi Republikë bananesh jo parlamentare kushtetuese. Në një vend ku kryeministri kthehet në Gjykatë Kushtetuese, vendos mazhorancën në radhë për grusht shteti, kthen KQZ në një strukturë politike të PS-së dhe që nuk zbaton as ligj, as kushtetutë. Ka oragnizuar dhe ka financuar blerjen dhe vjedhjen e votave, ka lejuar dhe mbështetur trafikun e drogës dhe korrupsionin, etiketon opozitën armike (maskarenj) dhe banditët dhe maskarenjtë i ka ortak. Ky vend nuk mund të jetë vend i BE-së”.

Për të lajmi i keq nuk është mos hapja e negociatave por vendosja e vizave. ”Nuk është se nuk po hapen negociatat për më keq po kthehemi pas, duan të na vendosin vizat. Ne e lamë Shqipërinë vend anëtar të NATO-s dhe me viza të liberalizuara, Rama po na kthen në ditët e zeza të izolimit të diktaturës komuniste”.

/Koha Jonë/