Kërkoi gjykim të shkurtuar, nis nesër gjyqi në themel për Sajmir Tahirin

Gjykata e Krimeve të Rënda do të nisë ditën e nesërme gjyqin në themel për ish –Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Në seancën e së mërkurës do të shqyrtohet edhe kërkesa për gjykim të shkurtuar që ka kërkuar Tahiri, përmes avokatit të tij mbrojtës. Ish-ministri i ka mohuar akuzat e prokurorisë, pasi sipas tij organi i akuzës nuk ka asnjë provë kundër tij.

Ndërkohë më herët prokuroria e Katanias mbylli hetimet ndaj ish-ministrin e Brendshëm, pasi ndaj tij nuk u gjetën prova që e implikonin në trafikun e drogës.

Kujtojmë që Tahiri akuzohet nga prokuroria për “korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Gjyqtarët që do të shqyrtojnë dosjen penale të Tahirt do të jenë Ardit Mustafaj, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka.

Ish-Ministri i Brendshëm, Tahiri akuzohet se ka favorizuar grupin kriminal Habilaj në trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Ai përfundoi i pandehur pasi u hetua për 18 muaj, që nga tetori i vitit 2017 kur u ngritën dyshimet se sa ka lidhje me grupin e Habilajve që trafikonte drogë drejt Italisë.

Bashkë me Saimir Tahirin të pandehur u morën dhe tre ish-zyrtarët e lartë të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, Gjergj Kohila e Sokol Bode.