Festoi sërish me shqiponjë në Kosovë, politikani zviceran reagon ashpër ndaj Xhakës

Festimi me shqiponjë në miqësoren e bamirësisë të zhvilluar pak ditë më parë në Zvicër, mund t’i hapë telashe të tjera Granit Xhakës në Zvicër. Kapiteni i kombëtares helvete premtoi se nuk do të festonte më me gjestin e shqiponjës pas kritikave të shumta gjatë Kupës së Botës në festën pas golit ndaj Serbisë.

Xhaka u zotua:“Nuk do të festoj më sërish me shqiponjë!”. Ishte ky premtimi i bërë nga Granit Xhaka kur pyetej nga gazetarët zviceranë rreth kësaj teme. Por gjithmonë ka vend për përjashtime, i njëjti festim ka ardhur nga mesfushori i Arsenalit.

Këshilltari i UDC në Zvicër, Marco Chiesa nuk i ka kursyer kritikat ndaj tij me një reagim në rrjetet sociale.

“Pasi premtoi para gjithë Zvicrës se gjesti me shqiponjën do të mbetej vetëm një episod sportiv gjatë Kupës së Botës, kapiteni i Zvicrës e bën sërish. Shqiponja dykrenore është simboli i Shqipërisë dhe i Shqipërisë Etnike, por edhe një emblemë e UÇK-së. Më 5 shtator 2018, ai tha nëse do e bënte të njëjtën veprim do të ishte budalla.

Xhaka nuk ka treguar asnjë shqetësim për rolin që luan, ndjeshmërinë që shkaktojnë fjalët e tij. Ai e ndjeu sërish nevojën për të bërë gjestin e kontestuar në fushën e lojës, duke e kthyer politikën në kontekstin sportiv. Një gjest identiteti që në mënyrë të pashmangshme ndaj dhe çliron tensione”, shkruan ndër të tjera politikani zviceran. /R.Lika-Koha Jone/