Bashkia Lezhë: Të lirohen ambientet e KZAZ deri në orën 16:00

Kryetari i bashkisë së Lezhës, Fran Frokaj i ka dërguar një kërkesë KQZ për të liruar ambientet e KZAZ, të ngritur në shkollën “Beslidhja”. Sipas bashkisë, nëse materialet nuk do largohen deri ne orën 16:00 do ndërhyhet konform ligjit.

“Në zbatim të Dekretit të Presidentit për shfuqizimin e caktimit të datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, i botuar në Fletoren Zyrtare kërkoj nga ana juaj lirimin vullnetar të ambienteve të shkollës “Besëlidhja” deri në orën 16:00 të ditës së martë, datë 18 qershor 2019.

Gjithashtu ju ritheksoj në vëmendje detyrimin për ndërprerjen e të gjitha veprimeve për afishimin e listave të zgjedhësve në të gjitha ambientet e miratuara Qendër Votimi dhe që janë në pronësi, varësi apo administrim të bashkisë Lezhë”, thuhet në shkresën drejtuar KQZ.