“Zëri i Amerikës”: Arben Keshi u emërua drejtor në ministri pas zgjedhjeve të Dibrës

Gazeta gjermane BILD botoi këtë të hënë disa përgjime të tjera të realizuar nga Prokuroria shqiptare, lidhur me zgjedhjet vendore në Dibër. Janë të paktën 16 përgjime në të cilat janë përfshirë dhe drejtues të institucioneve lokale.

Në disa prej përgjimeve përmenden shifra parash që duhet të jepen në këmbim të votave, ndërsa drejtues të institucioneve lokale, si ai i drejtorisë arsimore, kërkojnë haptazi deklarimin e votës, nga vartësit e tyre, në favor të Partisë Socialiste.

Në një pjesë të mirë të përgjimeve rezulton një përfaqësues lokal socialist Arben Keshi, i cili më pas është emëruar si drejtor në një prej institucioneve në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Kryeministri Rama i cili dëgjohet në një bisedë me Keshin për situatën e zgjedhjeve dhe rezultatin e pritshëm, reagoi duke u shprehur se sipas tij: “Përgjimet e pahetuara të shërbëtorit të Saliut tregojnë përsëri se u bënë për shantazh, jo për drejtësi!”.

Ai nxiti prokurorinë “të vijojë intensivisht hetimet për të nxjerrë deri në fund ku mbarojnë llafet dhe ku dalin prova fajësie para ligjit,nëse ka të tilla”, shkruan kryeministri në Twitter./VOA