Studentët e Universitetit të Mjekësisë pajisen me kartën e studentit, shërbime të reja

Studentët e Universitetit të Mjekësisë në Tiranë kanë nisur të pajisen me kartën studentore, falë së cilës përfitojnë shërbime falas ose me kosto të reduktuar. Operatorët e vendosur në tre fakultetet e universitetit u vijnë në ndihmë studentëve, duke lehtësuar procesin e prodhimit të kartës, duke nisur nga informacioni përgjithshëm, plotësimi i të dhënave, e deri te lëshimi i saj.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini dhe rektori i universitetit, Prof. Dr. Arben Gjata, ndoqi procesin e aplikimit dhe marrjes së kartës nga studentët. Veliaj siguroi se ky ritëm do të vijojë deri në fund të korrikut, duke përmbushur në këtë mënyrë edhe një tjetër premtim ndaj studentëve.

“Kemi pasur një fillim jashtëzakonisht intensiv, kemi qenë prezent në të gjitha fakultetet e universiteteve të Tiranës, fillimisht ato publike dhe më pas do vijojmë edhe me ato private. Lajmi i mirë është se sot po vazhdojmë te Mjekësia. Kemi rreth 1800 karta në total, por vetëm tek kjo pikë kemi mbi 600 karta të shpërndara.

Do të vazhdojmë deri në fund të korrikut”, tha Veliaj. Lajm i mirë është edhe rritja e interesit nga bizneset private, për t’iu bashkuar nismës së Bashkisë së Tiranës për të ofruar shërbime dhe produkte me kosto të reduktuar. “Pra, jo vetëm institucionet tona publike, por edhe privatët janë bashkuar me ofertat dhe uljet. Fakti që shumica e privatëve kanë dyfishuar skonton për periudhën e shpërndarjes së kartës, pra edhe për ta promovuar përdorimin, duke dyfishuar kursimet për secilin prej studentëve, është një lajm fantastik”, deklaroi Veliaj. Një nga përfitimet e kartës së studentit për të rinjtë dhe të rejat është lehtësia për transportin publik në kryeqytet.

Veliaj siguroi se çështja e aboneve ka marrë zgjidhje. “E kemi diskutuar sot me të dyja ministret çështjen e abonesë. Abonetë janë letra me vlerë, shtypen në shtypshkronjën e letrave me vlerë të Ministrisë së Financave dhe paraporositen 1 muaj përpara. Duke qenë se kartën e filluam në qershor, do shohim fluksin e qershorit për të porositur abonetë e korrikut. Kësisoj, në korrik ato të gushtit, në gusht të shtatorit, dhe kur të rikthehen studentët dhe të kemi fluksin maksimal të jetesës studentore, atëherë sigurisht do jetë në përputhje me numrin e studentëve.

Ngërçi i ditëve të para është zgjidhur dhe do shohim bioritmin e mobilitetit të studentëve në Tiranë, për të paraparë numrin e aboneve”, deklaroi ai. Suksesi i Tiranës në pajisjen me kartë studenti, pas 30 qershorit do të aplikohet edhe në qytete të tjera të vendit. Bashkia e Tiranës merr angazhimin që eksperiencën dhe infrastrukturën e saj ta vërë në shërbim të bashkive të tjera dhe universitetet private.

“Pas 30 qershorit, kur të jenë akomoduar edhe kryetarët e rinj të bashkive, do jemi të hapur që t’ua japim edhe atyre këtë dije”, tha ai. Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini tha se modeli i suksesshëm i ndjekur në Tiranë për rikonstruksionin konvikteve dhe për kartën, do të duhet të ndiqet edhe në qytete të tjera. “Kemi parë me kujdes mënyrën se si janë rinovuar konviktet, të njëjtin model po aplikojmë tani në Gjirokastër, Shkodër, Vlorë dhe Korçë, dhe në të njëjtën formë do e bëjmë edhe me Kartën e Studentit. Viti i ri akademik fillon në 14 tetor dhe ky vit i ri nuk do të gjejë asnjë student pa Kartën e Studentit. Faleminderit për gjithë punën e mirë që po bëni”, u shpreh ministrja Shahini. Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, shtoi se premtimet e dhëna për Paktin e Universitetit po realizohen.

“Pakti për Universitetin ka ngritur me të vërtetë një nivel të ri bashkëpunimi mes Universitetit dhe ministrive. Pakti për Universitetin dhe marrëveshjet specifike që kemi realizuar, po ecin sipas pritshmërive dhe jam shumë e kënaqur, që garant të marrëveshjeve që ne kemi bërë janë vetë studentët”, u shpreh Manastirliu.

Karta lëshohet pa pagesë, është e rinovueshme për një cikël studimi, ka një barcode të caktuar dhe akses në të gjitha institucionet apo subjekte, të cilat në mjediset e tyre kanë të afishuara stikerat me logon karta studentit. Përmes kësaj karte, studentët kanë lehtësira në shërbime të ndryshme publike dhe private që ofrohen në Tiranë.