Presidenti i federatës çeke vizitë me Dukën në “Arenën Kombëtare”: Stadium madhështor!

Pas ftesës së FSHF, sot në stadiumin “Arena Kombëtare” për të inspektuar punimet, ishte presidenti i federatës së futbollit të Çekisë Martin Malik. Së bashku me kreun e FSHF-së Armand Duka dhe dy inspektorë të UEFA-s ata panë nga afër ecurinë e punimeve të cilat kanë hyrë në fazën e fundit.

“Sigurisht që stadium pas nesh është një nga arsyet përse jam këtu, por jo vetëm. Ne duam të shkëmbejmë disa eksperienca me vende të cilat kanë afërsisht madhësinë e Republikës Çeke. Ne ndeshemi me çështje të njëjta, probleme të njëjta. Është gjithmonë mirë të kesh mundësi t’i ndash këto probleme me dike tjetër dhe ndoshta të kesh mundësinë të gjesh ndonjë zgjidhje. Sa i përket stadiumit ai është madhështor, shumë i bukur dhe një ndërtesë moderne nga e cila jam i impresionuar”, deklaroi Malik.

Armand Duka i pyetur nëse stadiumi do të jetë gati për muajin shtator, numri një i federatës konfirmoi se ecuria e punimeve po ecën drejt këtij synimi.

“Ne i kemi vënë objektiv kompanisë që duam të luajmë në shtator dhe vërtetë e kemi shumë të nevojshme që të luajmë në shtator në këtë stadium. Jo vetëm sepse duam ta shijojmë stadiumin e ri, duam të kemi më shumë kushte për spektatorët, por edhe se mund të arrijmë më shumë rezultat me pranojnë e shumë spektatorëve dhe atmosferën akoma më të mirë. Kështu që do të bëjmë të gjitha përpjekjet, por edhe kompania po bën të gjithçka mundet. Ka skeptikë ,ka optimist, por nuk mund të jemi shumë të sigurt për shtatorin”, deklaroi Duka.