Flet Pjerin Ndreu në “Opinion” për bisedën e përgjuar ndaj tij, por ….

I përfshirë në audio-përgjimin e publikuar nga media gjermane “Bild”, ish deputeti socialist Pjerin Ndreu në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” ai tha ka të drejtë t’i kërkojë strukturave të PS ta shpallin votën hapur.

*Nga përgjimi del se ish- deputeti socialist Pjerin Ndreu diskuton me drejtorin e arsimit të Dibrës që t’i bëjë presion mësuesve për të votuar për socialistët ose përndryshe do të pushohen nga puna. Ndreu është aktualisht kandidati i Partisë Socialiste për kryebashkiak në Lezhë. Ndreu i thotë Reçit të flasë me një drejtor shkolle, ta kërcënojë me pushim nga puna në rast se nuk deklaron hapur votën për Partinë Socialiste.

Unë kam të drejtë t’i kërkoj strukturave të mia ta shpallin votën hapur dhe këtu s’ka asnjë gjë”, tha Pjerin Ndreu.

Blendi Fevziu: Zoti Ndreu, ju e keni dëgjuar përgjimin që është publikuar nga “Bild” dhe keni deklaruar së është pjesë e zakonshme e punës së strukturave të PS. A mund të ma shpjegoni cila është puna e zakonshme e strukturave të PS?

Pjerin Ndreu: Ju lutem më dëgjoni, Reshat Elezi ka qenë kryetar i PS të Reçit dhe duke qenë kryetar, unë kam kërkuar që ai të votojë PS dhe kjo është krejt normale dhe nuk kam kërkuar personat e tjerë, apo nga mësuesit.

Blendi Fevziu: I ka kërkuar dikush tjetër?

Pjerin Ndreu: Po flas për Pjerini… jo për dikë tjetër.

Blendi Fevziu: Si deputet i PS, pse nuk morët drejtpërdrejt Reshat Elezin, po i thoni drejtorit t’i telefonojë?

Pjerin Ndreu: Nuk ja kishe telefonin dhe njihja vetëm drejtorin e Arsimit dhe zotëria ka qenë kryetar i PS, ju më thoni i kam bërë presion kryetarit të PS?

Blendi Fevziu: Në shtet nuk ka parti. E ka marrë drejtori i Arsmit, pse nuk thoni merr kryetarin e PS, por drejtorin?

Pjerin Ndreu: Nuk i kisha telefonin. E keni bërë këtë administratën sikur… dhe ata që janë në administratë, drejtorët e shkollave lejohen të marrin pjesë në aktivitetet politike pas orë 16:00, pas orarit të punës…. Siç ka PS, kanë dhe partitë e tjera…

Blendi Fevziu: A e di ju se deklarimi i votës, qoftë anëtar i PS, qoftë i PD. LSI është shkelje ligji?

Pjerin Ndreu: Deklarim i votës bëhet në komisioni…janë komisionerët e PS, LSI, PD,bëhët me fjalë…

Blendi Fevziu: Ju thoni të deklarosh votën hapur…është të shkelësh të drejtën e tjetrit për të votuar si të dojë ai….

Pjerin Ndreu: Përkthimi shqip -shqip ju keni të qejf ta bëni si të doni….

Mentor Kikia: Ku do fluturonte drejtori shkollës të hënën?

Pjerin Ndreu: Do ikte nga kryetari i PS. Unë kam të drejtë ti kërkoj strukturave të mia gojarisht ta shpallin votën hapur dhe këtu s’ka asnjë gjë…

Blendi Fevziu: As strukturave të tua nuk ke të drejtë ti kërkosh shpallje të votës hapur, kjo është shkelje e hapur. Mund të jetë praktikë por është shkelje e ligjit. Ku do fluturonte?

Pjerin Ndreu: Do fluturojë nga PS…

*Por në fakt në këtë lidhje telefonike, Pjerin Ndreu bëri dy gafa. E para në atë kohë kryetari i PS në atë zonë ka qenë zoti Gentian Gjura dhe Reshat Elezi ka qenë thjesht drejtor shkolle.

Po ashtu, edhe nëse marrim të mirëqenë versionin e zotit Ndreu, në Kushtetutën e Shqipërisë është e thënë mjaft qartë: Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë. / Opinion.al