Denoncimi i PD: Edi Rama po kërkon arrestimin me forcë të Lulzim Bashës

Partia Demokratike ka denoncuar sot një skenar të Edi Ramës për të urdhëruar prokurorinë që të shoqërojë me forcë dhe arrestojë kreun e PD-së, Lulzim Basha.

Në një njoftim për mediat, PD informon se drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, ka urdhëruar prokurorët e çështjes në hetim për kreun e PD që të kryejnë sot arrestimin e tij. PD thotë se ky skenar është urdhëruar nga Edi Rama dhe kërkon të heqë vëmendjen nga përgjimet e “Bild” që do të publikohen sot.

Po sot, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi në një deklaratë për mediat e cilësoi këtë qëndrim të Prokurorisë si një skenar destabiliteti për vendin, me qëllim tërheqjen e vëmendjes nga përgjimet e gazetës gjermane “Bild”.

Njoftimi i Partisë Demokratike:

Me urdhër direkt të Edi Ramës, drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj në dhunim flagrant të ligjit po ushtron presion të paligjshëm ndaj prokurorëve të çështjes për shoqërimin me forcë dhe arrestimin e kryetarit të opozitës, ndonëse kryetari i opozitës ka konfirmuar vullnetin për t’u paraqitur në prokurori sapo kjo e fundit të zbatojë ligjin për thirrjen e tij.

‘Ky presion kriminal përmes urdhrave të paligjshëm të prokurores së kapur, Elisabeta Imeraj, po ushtrohet me urdhër direkt të Edi Ramës me qëllim për të larguar vëmendjen nga përgjimet e reja që ka paralajmëruar se do të publikojë sot gazeta gjermane “Bild”.

Partia Demokratike paralajmëron prokuroren Imeraj dhe shefin e saj Edi Rama se ky skenar kriminal do të dështojë dhe ata do të jenë përgjegjës direkt për këtë veprim kriminal të paprecedentë të shkeljes së ligjit dhe provokimit ndaj opozitës.

Kamikazja Imeraj nuk do ta shpëtojë dot Edi Ramën. Asgjë nuk e shpëton dot Edi Ramën. As drejtësia e kapur prej tij.