Ça del te filxhani i kryeministrit pas BILD?!

Sot gazeta më e madhe në Europë, gjermania BILD, publikoi përgjime të reja. Para disa ditëve ajo nxori përgjimet e kryebashkiakut durrsak Vangjush Dako me Abdylajt, të cilët cilësohen nga PD si bandë kriminale. Ndërsa sot doli edhe kryeministri në komunikime. Natyrisht Edi Rama ishte i kujdesshëm, por nëse zbërthen gjithë zinxhirin e emrave të tjerë të përgjuar që rrotullohen afër kryeministrit, del e qartë se si janë blerë votat. Me presione, oferta, pazare dhe me bandat.

Kjo është më se e qartë. Me Durrësin bëri si bëri kryeministri dhe sikur e kaloi pa hyrë ferr në këmbë, pasi prokuroria nuk heton, por ishte media që ia nxori bojën PS-së dhe kryeministrit. Megjithatë Durrësin e arkivoi për ca kohë, Edi Rama.

BILD sot ia prishi humorin kryeministrit. Edi Rama duket nga mënyra se si reagon për gjyq ndaj gazetarit gjerman, se ndjehet keq. E di se publiku është tejet i bindur se si janë blerë votat në 2017, falë edhe miopisë politike të PD-së, kur bëri marrëveshjen e 18 majit. Sondazhet tregojnë se mazhoranca është në pikiatë të frikshme elektorale, ndaj edhe po synon të marrë të gjitha bashkitë, shpejt e shpejt, pa kandidatë opozitarë.

Ndërkohë prokuroria nxitoi të spostojë vëmëndjen duke njoftuar publikisht se ka ndërmend të marrë me forcë liderin e opozitës Lulzim Basha, çka vetëm i shton pikët atij, duke e kthyer në hero, nëse e arreston. E bën automatikisht kryeministër. Por prokuroria ka urdhër nga kryeministri. Kjo dihet, kjo e nxjerr atë organ politik. Të premten është protesta e opozitës, e cila siç duket do jetë radikale dhe e pamëshirshme.

BILD thotë se të enjten, një ditë para protestës, do të nxjerrë prapë përgjime. Problemi është se shteti është angazhuar në blerjen e votës për PS-në. Kjo është e kundraligjshme dhe e zhvlerëson pushtetin e Edi Ramës.

Situata po precipiton nga dita në ditë, shumë keq. Kryeministri nuk ha pykë fare, nuk don asnjë ulje në tavolinë për të gjetur udhën e arësyes sëbashku me Presidentin dhe opozitën. E do konfliktin, pasi mendon se nga konflikti mund të ringrihet, duke ia faturuar opozitës pasojat e përplasjes, ku për dreq mund të ketë të vrarë dhe të plagosur.

Edi Rama duhet të gjejë shtigjet e mirëkuptimit politik dhe të mendojë për shtetin e popullin e jo për karriken e tij.

Filxhani i kafesë nuk i del mirë duke parë britmat e Elisa Spiropalit!

S.P.

Lexoni edhe…